Një substancë e re narkotike me origjinë bimore, e njohur si “Mitragyna speciosa”, po shfaqet si një nga sfidat e reja për shëndetin publik në Shtetet e Bashkuara.
E quajtur ndryshe si “kratom”, droga po përdoret gjithnjë e më shumë për shkak të perceptimit se është “natyrale” dhe rrjedhimisht më pak e rrezikshme. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për pasoja serioze.
“Kratom” përmban përbërës aktivë që veprojnë në tru në mënyrë të ngjashme me opioidët, duke ndikuar në sistemin nervor. Në doza të ulëta, ai mund të ketë efekt stimulues, ndërsa në doza të larta vepron si qetësues dhe analgjezik i fuqishëm. Pikërisht përdorimi i pakontrolluar dhe në sasi të mëdha rrit rrezikun për shëndetin.
Sipas të dhënave nga revista shkencore “Addiction”, rastet e raportuara në qendrat amerikane të helmimeve janë rritur ndjeshëm, nga vetëm 19 raste në vitin 2010 në mbi 1.200 në vitin 2023. Kjo rritje e shpejtë tregon për përhapjen e gjerë të përdorimit të saj.
Pasojat shëndetësore nuk janë të lehta. Raportohet për konvulsione, probleme me ritmin e zemrës, dëmtime të mëlçisë dhe vështirësi në frymëmarrje. Në shumë raste është kërkuar trajtim spitalor, madje edhe kujdes intensiv.
Rreziku bëhet edhe më i madh kur “kratom” kombinohet me substanca të tjera apo medikamente, pasi mund të shkaktojë reaksione të paparashikueshme dhe më të rënda.
Aktualisht, kjo substancë nuk është e rregulluar në nivel federal në SHBA, duke krijuar boshllëqe ligjore dhe vështirësi në kontroll. Ekspertët paralajmërojnë se, pa studime më të thelluara dhe masa të qarta, “kratom” mund të shndërrohet në një emergjencë të re shëndetësore globale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)