Vdekja e studiuesit të njohur të UFO-ve, David Wilcock, ka nxitur reagime të forta dhe teori konspiracioni në rrjetet sociale, pasi autoritetet konfirmuan se ai i dha fund jetës së tij.
53-vjeçari u gjet i pajetë më 20 prill jashtë banesës së tij në Qarkun Boulder, Kolorado. Sipas zyrës së mjekut ligjor, shkaku i vdekjes ishte një plagë me armë zjarri e shkaktuar nga vetë ai.
Policia reagoi ndaj një telefonate për një burrë që “po përjetonte një krizë të shëndetit mendor”. “Brenda pak minutash nga mbërritja e ndihmësve, ai përdori armën mbi veten. Ai u shpall i vdekur në vendngjarje”, thuhet në deklaratën e zyrës së sherifit.
Autoritetet shtuan se nuk u gjet asnjë person tjetër në prone, por ngjarja ka ngritur pikëpyetje, pasi vetëm një ditë më parë, Wilcock kishte shprehur publikisht kundërshtimin e tij ndaj vetëvrasjes.
Në një transmetim live në YouTube më 19 prill, ai deklaroi: “Nuk mund të ringjallesh. Nëse jep jetën tënde, ke mbaruar. Të lutem mos e bëj këtë.”
Në një postim të mëhershëm në platformën X në vitin 2022, ai kishte shkruar: “Planifikoj të jetoj. Aspak vetëvrasës.”
Këto deklarata kanë nxitur dyshime te mbështetësit e tij, të cilët pretendojnë se vdekja e tij mund të mos ketë qenë vetëvrasje. Në rrjetet sociale, shumë përdorues kanë hedhur akuza për ndërhyrje të mundshme, duke e quajtur ngjarjen “të dyshimtë”.
Edhe figura politike kanë reaguar, me kongresmenin nga Tenesi, Tim Burchett, që shkroi në rrjetet sociale: “Nuk është në rregull.” Më pas ai deklaroi për mediat se “nuk mendon se kjo është rastësi”.
Ndërkohë, kongresmenja nga Florida, Anna Paulina Luna, shprehu ngushëllimet.
“Po lutemi për familjen dhe të dashurit e tij dhe për miliona jetë që ai ndikoi.”
David Wilcock ishte një figurë e njohur në komunitetin që kërkon transparencë mbi fenomenet UFO dhe jetën jashtëtokësore. Ai u bë i famshëm për pjesëmarrjen e tij në emisionin Ancient Aliens dhe për teoritë e tij mbi qytetërimet e lashta dhe ndikimin e mundshëm të alienëve.
Ai gjithashtu promovonte idenë se njerëzimi ndodhej në prag të një transformimi të madh shpirtëror, që sipas tij mund të lidhej me zbulimin e jetës jashtëtokësore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)