Një ditë pasi kryeministri Edi Rama tha nga paneli në Forumin Ekonomik të Delfit, se ka dakordësi mes Greqisë dhe Shqipërisë për të kërkuar një zgjidhje finale për çështjen e ‘Detit’ në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë, shenja mohimi kanë ardhur nga Athina.
“Nuk ishte se unë isha kundër kësaj, por pasi marrëveshja u bë publike, një personalitet i ushtrisë, doli me një artikull të plotë, të mbushur me përplot kritika dhe kjo e ndezi mjedisin. Sepse nuk ndodh vetëm këtu që ka një reagim të mënjehershëm kur ka diçka që të bëjë me palën tjetër, por ndodh edhe atje. Në atë kohë ne ishim në opozitë. Unë thashë, kjo mund të duket si një mundësi e artë për të marrë dhe për të shkuar në Parlament duke thirrur: ‘Tradhti’. Por nuk është kjo që duhet të bëjmë, pasi nuk jemi kjo lloj partie. Por edhe nuk mund të rrimë duarkryq, ndaj ne e çuam në Gjykatën Kushtetuese dhe i takon asaj të vendosë. Pra e nxorëm nga kjo fusha e futbollist mes partive dhe tifozëëve dhe e çuam atje. Tani kemi një marrëveshje me qeverinë greke për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare. Kështu do të bëhet, pastaj i takon Gjykatës të vendos”, deklaroi Rama ditën e djeshme nga Greqia, teksa u vendos përballë faktit se si lider i opozitës në vitin 2010 ishte kundër marrëveshjes për detin, të arritur nga qeveria ‘Berisha”, e cila u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.
Por, media greke Protothema duke cituar burime nga Ministria e Jashtme raporton se Athina distancohet qartë nga deklaratat e Ramës rreth konsultimeve të supozuara të avancuara mbi delimitimin e Zonës Ekonomike Ekzekutive me Greqinë, duke mohuar në thelb narrativën rreth një marrëveshjeje të afërt mbi një kërkesë të përbashkët drejtuar Hagës.
“Një burim i lartë diplomatik nënvizon se, pavarësisht faktit se çështja ka qenë në axhendën e të dy vendeve për një kohë të gjatë, procesi u ‘ngri’ kur marrëveshja u çua në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, ku në thelb u anulua. Ministria e Jashtme greke thekson se diskutimi mbi delimitimin vjen nga e kaluara, por çështja ishte referuar në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe aty u rrëzua dhe për këtë arsye, është pala shqiptare ajo që duhet të vazhdojë me procedurat e nevojshme për të ndryshuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, raporton Protothema, referuar MEPJ-së greke.
Sipas të njëjtit burim, të medias helene zgjidhja e çështjes së kufirit detar me Shqipërinë nuk është më ndër prioritetet e menjëhershme të diplomacisë greke, veçanërisht pas marrëveshjeve që janë arritur tashmë me vende të tjera në rajon, si Italia, por edhe zgjerimit të ujërave territoriale greke në Detin Jon.
“Strategjia e Athinës përqendrohet në zgjidhjen e përgjithshme të çështjeve dypalëshe, por askush nuk po konfirmon në këtë kohë se progresi i raportuar nga pala shqiptare do të ndodhë brenda vitit 2026. Nga pala greke, theksohet se nuk ka asnjë tekst mbi çështjet dypalëshe dhe çështjet e pazgjidhura që duhen zgjidhur midis Greqisë dhe Shqipërisë, siç deklaroi zoti Rama në intervistën e tij në Forumin e Delfit”, raporton më tej media greke.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)