Kosova e ka shpallur ditën e premte zi shtetërore në nder të akademikut Rexhep Qosja, i cili ndërroi jetë në moshën 89 vjeçare.
“Në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja, dita e nesërme, e premte, 24 prill 2026, shpallet Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, shkruhet në vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.
Lajmi për vdekjen e akademikut u dha nga familjarët e tij në rrjetet sociale, të cilët në të njëjtën kohë njoftuan edhe se ceremonia mortore në nder të tij kishte përfunduar.
Sipas të njëjtit burim, Qosja e kishte lënë amanet që për të mos të mbahej asnjë ceremoni shtetërore apo pritje e organizuar mortore.
Qosja ka qenë anëtar i rregullt dhe korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dhe ka qenë i angazhuar në politikën kosovare të pasluftës. Është autor i disa romaneve të njohura. Qe njëri ndër zërat më të spikatur të dramës moderne shqipe gjatë viteve 1970.
Më 2006 u inkuadrua në një debat për identitetin shqiptar me Ismail Kadarenë. Në debatin e hapur në vitin 2018 mbi shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ka mbrojtur tezën e korrigjimit të kufijve mes dy vendeve.
Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.
Në vitin 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi kompletin e veprave në 29 vëllime.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)