Kuvendi i Kosovës miraton ligjin për çmimet tavan

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti theksoi se ky ligj synon të mbrojë qytetarët nga rritjet e menjëhershme dhe të paarsyeshme të çmimeve në raste të destabilizimit të tregut.

Burimi: REL

23.04.2026. 19:05

Kuvendi i Kosovës miraton ligjin për çmimet tavan

Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë, pavarësisht kundërshtimeve të partive opozitare. Ligji u votua me 63 vota pro, pa asnjë kundër apo abstenim.

Për të hyrë në fuqi, ligji duhet të dekretohet nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti theksoi se ky ligj synon të mbrojë qytetarët nga rritjet e menjëhershme dhe të paarsyeshme të çmimeve në raste të destabilizimit të tregut.

Sipas ekzekutivit, masat do të jenë të përkohshme dhe do të aplikohen vetëm për produktet e shportës bazë, si buka, qumështi, vaji, sheqeri, mishi, vezët, si dhe produkte të higjienës dhe ushqime për fëmijë.

Ligji parashikon gjithashtu krijimin e një bordi me pesë anëtarë, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e çmimeve tavan dhe do t’i raportojë Kuvendit çdo tre muaj. Anëtarët e bordit do të propozohen nga Qeveria dhe do të miratohen nga deputetët.

Megjithatë, opozita ka shprehur shqetësime për përmbajtjen e ligjit. Sipas tyre, ai lë hapësirë për ndërhyrje arbitrare në tregun e lirë dhe nuk përcakton qartë kriteret për vendosjen e çmimeve maksimale. Po ashtu, është ngritur shqetësimi se bordi mund të ndikohet nga Qeveria.

Nga ana tjetër, ministrja Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se ligji është hartuar duke marrë parasysh rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, e cila në vitin 2023 e kishte shpallur një version të mëparshëm të pavlefshëm.

Autoritetet theksojnë se qëllimi kryesor mbetet mbrojtja e konsumatorëve dhe ruajtja e stabilitetit në treg në situata të jashtëzakonshme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)