Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka dhënë një urdhër të drejtpërdrejtë për Marinën amerikane që të “qëllojë dhe shkatërrojë” çdo anije që dyshohet se po vendos mina detare në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më strategjike të transportit të naftës në botë.
Në një postim në rrjetet sociale të enjten në mëngjes Trump deklaroi se nuk do të ketë “asnjë hezitim” ndaj çdo mjeti lundrues që paraqet kërcënim për sigurinë në këtë zonë kyçe detare. Ai shtoi se operacionet për pastrimin e minave janë duke vazhduar dhe do të intensifikohen trefish.
Ky vendim vjen në një moment tensioni të lartë midis SHBA-së dhe Iranit, ku trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit është reduktuar ndjeshëm që nga shpërthimi i konfliktit në fund të shkurtit.
Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar më herët se nuk do të rikthehen në bisedime për sa kohë që SHBA vazhdon bllokadën ndaj anijeve iraniane.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet si një arterie jetike për tregtinë globale të energjisë, dhe çdo përshkallëzim i situatës në këtë zonë rrit shqetësimet për stabilitetin ekonomik dhe sigurinë ndërkombëtare.
Urdhri i fundit i Trump shihet si një sinjal i fortë i qëndrimit të ashpër të administratës amerikane, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse kjo qasje do të çojë drejt uljes së tensioneve apo përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)