Dinamo është finalistja tjetër e Kupës së Shqipërisë për këtë sezon, pasi eliminoi Vllazninë në gjysmëfinale. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja triumfoi 1-0 në ndeshjen e kthimit të luajtur në stadiumin ‘Loro Boriçi’, duke kaluar më tej me rezultatin e përgjithshëm 2-1, pas barazimit 1-1 në takimin e parë.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, ku vendasit tentuan të rrezikonin që në minutat e para. Kevin Dodaj provoi që në minutën e 4-t, por pa gjetur kuadratin. Më pas ishte radha e Bekim Balaj, i cili nuk arriti të finalizojë një rast të mirë për shkodranët.
Nga ana tjetër, Dinamo reagoi me një aksion të ndërtuar nga Vila drejt Bregut, por tentativa u ndal nga mbrojtja vendase.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, por në fraksionin e dytë, të dy skuadrat krijuan raste dhe momenti vendimtar erdhi në minutën e 75-të për “Nëndetësen”. Ishte protagonisti i mbrëmjes, Dejvi Bregu, i cili realizoi falë një aksioni individual të shkëlqyer, duke kaluar disa kundërshtarë dhe mposhtur portierin për golin e vetëm të sfidës.
Deri në fund, rezultati mbeti i pandryshuar, duke i dhënë Dinamos kualifikimin për në finale, ku do të përballet me Egnatian më 13 maj. Kryeqytetasit rikthehen kështu në finalen e kompeticionit për të dytin vit radhazi, ndërsa Vllaznia tashmë do të fokusohet plotësisht në garën e kampionatit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)