Pas konkurrimit në Kampionatin Europian dhe anulimit të provës nga juria, kampioni shqiptar i peshëngritjes, Erkand Qerimaj ka shpërthyer. Ai realizoi 152kg në shkëputje realizova 152 kg dhe tentoi rekordin e Europës me 157kg, ku ishte fare pranë. Në shtytje, kuqeziu realizoi 184kg, me një provë të pastër, të dhënë me 3 të bardha nga gjyqtarët.
Por, më pas, për çudi juria vendosi ta anulojë rezultatin për një lëkundje minimale. Qerimaj e cilësoi padrejtësi atë që ndodhi në Batumi. “Këtë herë do flas pa filtra! Ky nuk është thjesht një vendim: është një padrejtësi e pastër dhe e turpshme që i bëhet një sportisti në mes të Europës”, ishte reagimi i peshëngritësit.
Në shënjestër të Qerimajt janë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, njëkohësisht President i Federatës Ballkanike, si edhe presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Astrit Hasani, i cili është edhe president i Federatës së Peshëngritjes të Kosovës.
“Edhe më e rëndë se padrejtësia është heshtja. Drejtuesit e federatës ishin aty, me lekët e taksapaguesve, dhe nuk patën as guximin minimal për të mbrojtur sportistin e tyre. Asnjë reagim. Asnjë protestë. Asnjë qëndrim. Nuk është papërgjegjshmëri, ky është dështim. Kur marrim medalje, jeni të parët për foto dhe deklarata. Kur ndodh padrejtësia, zhdukeni. Kjo është hipokrizi e pastër”, tha sportisti që ka fituar më tepër tituj në Shqipëri.
“Jemi i vetmi ekip në Europë që dalim pa uniforma dinjitoze. Pa fizioterapist. Pa mjek. Pa asnjë standard bazë që çdo shtet serioz e konsideron minimum. Dhe pastaj flasim për ‘rrugën drejt Europës’? Kjo është skandaloze. Fondet? Vijnë çdo vit. Askush nuk jep llogari. Askush nuk tregon ku shkojnë. Kam kërkuar auditim , zero përgjigje. Kjo federatë sillet si pronë private, jo si institucion që duhet t’i shërbejë sportistëve dhe trajnerëve”, theksoi më tej Qerimaj.
Në fund, peshëngritësi shtoi: “STOP më me heshtje. BOLL më me abuzim. Sportistët nuk janë dekor për foto dhe propagandë, janë ata që mbajnë peshën reale të përfaqësimit sportiv mbi supe. Dhe kjo që po ndodh nuk është thjesht problem, është turp”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)