Në muajin janar ishte praktikisht një emër i panjohur. Më pas, në merkaton e dimrit erdhi transferimi te Lazio, për shifrën e 1,2 milionë eurove. Në harkun e pak javëve, Edoardo Motta u shndërrua në titullar te skuadra bardhkaltër dhe tashmë mori petkun e heroit.
Lazio u kualifikua në finalen e Kupës së Italisë, pasi eliminoi Atalantën në një përballje dramatike të vendosur me penallti. Heroi absolut i sfidës ishte pikërisht portieri 21-vjeçar, i cili priti katër goditje radhazi në serinë e penalltive.
Ndeshja u mbyll 1-1 pas 120 minutave, ndërsa takimi i parë kishte përfunduar 2-2. Golat në kohën e rregullt u shënuan në minutat e fundit, ku Alessio Romagnoli kaloi Lazion në avantazh, por Pasalic barazoi menjëherë për Atalantën.
Kjo e bëri të domosdoshme “ruletën” e 11-metërshave. Edoardo Motta ndali goditjet e Gianluca Scamaça, Davide Zappacosta, Mario Pasalic dhe Charles De Ketelaere, duke i dhënë Lazios fitoren 2-1 me penallti.
Për skuadrën kryeqytetase realizuan Gustav Isaksen dhe Kenneth Taylor. Në finalen e 13 majit, Lazio do të përballet me Interin, kryesuesin e Serie A. Zikaltërit e siguruan kualifikimin pas fitores 3-2 ndaj Como, duke përmbysur disavantazhin e dy golave të miqve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)