Trabzonspori tregti me Ernest Muçin, do ta blejë nga Beşiktaş për ta shitur 17,5 mln euro

Drejtuesit dhe stafi teknik po e shqyrtojnë këtë alternativë, ndërsa plani i klubit është i qartë: fillimisht ta blejë Muçin nga Beşiktaş dhe më pas ta shesë në një ligë europiane,

23.04.2026. 13:59

Trabzonspori tregti me Ernest Muçin, do ta blejë nga Beşiktaş për ta shitur 17,5 mln euro

Trabzonspor ka vendosur të ndërmarrë një lëvizje të rëndësishme në lidhje me të ardhmen e futbollistit shqiptar Ernest Muçi, i cili u transferua në formë huazimi nga Beşiktaş në fillim të sezonit. Sipas marrëveshjes mes dy klubeve, Trabzonspor pagoi 1 milion euro për huazimin e lojtarit, ndërsa në kontratë u përfshi edhe një opsion blerjeje prej 8,5 milionë eurosh.

Mediat turke raportojnë se pas paraqitjeve të jashtëzakonshme të Muçit nën drejtimin e trajnerit Fatih Tekke, klubi nga Trabzoni pritet ta aktivizojë opsionin e transferimit. Nëse blerja realizohet, Trabzonspor do t’i paguajë Beşiktaşit shifrën prej 8,5 milionë eurosh, e cila sipas marrëveshjes do të shlyhet në pesë këste.

Ndërkohë, sipas shtypit lokal në Trabzon, arsyeja kryesore që klubi po synon të blejë kartonin e Muçit lidhet me një ofertë të rëndësishme nga jashtë Turqisë. Raportohet se është paraqitur një ofertë prej 17,5 milionë eurosh nga një klub europian për transferimin e sulmuesit shqiptar.

Drejtuesit dhe stafi teknik thuhet se po e shqyrtojnë këtë alternativë, ndërsa plani i klubit është i qartë: fillimisht ta blejë Muçin nga Beşiktaş dhe më pas ta shesë në një ligë europiane, duke siguruar fitim të madh financiar.

Foto ilustruese

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)