Finalja e katërt me radhë në Kupë, Egnatia triumfon pas penalltive ndaj Elbasanit

Rrogozhinasit do të luajnë për trofeun kundër fituesit të çiftit Vllaznia-Dinamo. Gjysmëfinalja e parë është mbyllur në barazim 1-1, fituesi vendoset sot prej orës 19:00 në Shkodër.

23.04.2026. 09:16

Finalja e katërt me radhë në Kupë, Egnatia triumfon pas penalltive ndaj Elbasanit

Egnatia ka siguruar një tjetër kualifikim të rëndësishëm, duke siguruar finalen e Kupës së Shqipërisë pas një dueli të fortë ndaj Elbasanit, që u vendos vetëm nga goditjet e penalltive. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena” u mbyll 1-1 pas kohës së rregullt dhe shtesave, ndërsa nga pika e bardhë rrogozhinasit triumfuan me rezultatin 4-2.

Egnatia e nisi ndeshjen më mirë dhe arriti të kalojë në avantazh që në minutat e para me Grudën. Vendasit reaguan dhe barazuan në të 58-ën me Mustën, duke e mbajtur të hapur çështjen e kualifikimit deri në fund. Në kohën shtesë, të dy ekipet tentuan të gjenin golin e triumfit, por pa sukses.

Për të përcaktuar fituesin u nevojitën ekzekutimet e penalltive, aty ku Elbasani u ndëshkua nga gabimet e Kasës dhe Lleshit, ndërsa për Egnatian realizuan Albanese, Jaime, Xhemajli dhe Fangaj. I vetmi që gaboi për rrogozhinasit ishte Kryeziu.

Me këtë fitore, Egnatia arrin në finalen e katërt radhazi të Kupës. Ata do të luajnë për trofeun përballë fituesit të çiftit Vllaznia-Dinamo. Gjysmëfinalja e parë mes tyre është mbyllur 1-1. Takimi i kthimit luhet sot në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke nisur prej orës 19:00.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)