Kampionia shqiptare e peshëngritjes, Enkileda Carja ka mbyllur garën në Kampionatin Europian në Batumi me një tjetër sukses të jashtëzakonshëm, duke konfirmuar formën e saj elitare në arenën ndërkombëtare. Carja shkëlqeu fillimisht në stilin e shkëputjes, ku ngriti 103 kilogramë, rezultat me të cilin theu rekordin europian për të rinj.
Ajo vazhdoi dominimin edhe në stilin e shtytjes, ku realizoi 123 kilogramë, duke kompletuar një paraqitje të nivelit të lartë. Me këtë performancë, sportistja shqiptare arriti të thyejë dy rekorde europiane, një në shkëputje dhe një tjetër në dygarësh, me plot 226 kilogramë të ngritura.
Me këtë paraqitje në Gjeorgji, sportistja 18-vjeçare vulosi një sukses historik për peshëngritjen shqiptare. Paraqitja e saj brilante konsiderohet një nga arritjet më të rëndësishme të Shqipërisë në këtë disiplinë, duke ngritur edhe më lart flamurin shqiptar në skenën europiane. Përpara startit të eventit, Enkileda Carja ishte vlerësuar edhe si “Ylli në ngritje për vitin 2025” nga Federata Europiane e Peshëngritjes.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)