I siguroi titullin Barcelonës, por Lamine Yamal rrezikon të humbasë Botërorin

Ekziston mundësia që sulmuesi të ketë pësuar çarje të muskulit pas kofshës, që mund ta lërë jashtë për pjesën e mbetur të sezonit dhe të vërë në dyshim pjesëmarrjen e tij në Kupën e Botës.

23.04.2026. 09:58

I siguroi titullin Barcelonës, por Lamine Yamal rrezikon të humbasë Botërorin

Barcelona dhe Spanja janë vënë në ankth pas dëmtimit të yllit Lamine Yamal, i cili u lëndua gjatë ndeshjes kundër Celta Vigo. Lëndimi i talentit të sulmit ka ngritur frikën se ai mund të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit dhe madje rrezikon pjesëmarrjen në Botërorin 2026, që do të zhvillohet gjatë kësaj vere.

Yamal shënoi golin e fitores me penallti në suksesin 1-0 të Barcelonës në “Camp Nou”, duke realizuar rrjetën e tij numër 16-të në këtë sezon të La Liga-s. Falë kësaj fitoreje minimale, katalanasit e rritën në 9 pikë avantazhin ndaj ndjekësve të Real Madrid, kur kanë mbetur vetëm gjashtë javë nga fundi i kampionatit.

Megjithatë, festa u venit shpejt, pasi menjëherë pas golit lojtari u pa duke kapur muskulin e kofshës dhe u zëvendësua. Ai episod ngriti menjëherë dyshime për një dëmtim serioz. Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, reagoi pas ndeshjes duke pranuar se situata duket shqetësuese, por pa dhënë një afat të saktë për rikuperimin.

“Mendoj se ka një dëmtim, por duhet të presim për të parë sa do të mungojë. Nuk mund të them asgjë më shumë. Duhet të presim”, tha tekniku gjerman. Sipas gazetës spanjolle Marca, ekziston mundësia që Yamal të ketë pësuar çarje të muskulit pas kofshës, që mund ta lërë jashtë për pjesën e mbetur të sezonit dhe të vërë në dyshim pjesëmarrjen e tij në Kupën e Botës.

Megjithatë, Barcelona ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht shkallën e dëmtimit. Testet e mëtejshme mjekësore për Yamal pritet të kryhen sot , më datë 23 prill. Ndërkohë, Barcelona do të rikthehet në fushë më 25 prill, në transfertën ndaj Getafes.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)