Autoritetet doganore në portin e Durrësit kanë nisur një hetim pas një gabimi në trajtimin e një kontenieri me mallra të sekuestruara, i cili është dërguar gabimisht drejt Pireut në Greqi dhe më pas është rikthyer në Shqipëri.
Sipas burimeve zyrtare, në kontenier ndodheshin mallra të ndryshme, përfshirë atlete, pantallona dhe kufje, të cilat ishin ndaluar nga Dogana për verifikim mbi origjinën e tyre, nëse ishin produkte origjinale apo imitime.
Mallrat ishin vendosur përkohësisht në një kontenier bosh në zonën doganore të portit, për shkak të mungesës së një magazine të posaçme për ruajtjen e tyre gjatë procedurave të kontrollit.
Problemi është konstatuar më 9 prill, kur autoritetet vunë re mungesën e kontenierit dhe nisën verifikimet. Hetimet paraprake kanë treguar se një agjenci transporti detar e ka dërguar kontenierin drejt Pireut, duke e konsideruar gabimisht si të zbrazët.
Pas identifikimit të gabimit, kontenieri është rikthyer në portin e Durrësit.
Aktualisht, pritet që hapja dhe inventarizimi i mallrave të bëhet në prani të Prokurorisë së Durrësit dhe strukturave të hetimit doganor, për të verifikuar saktësisht përmbajtjen dhe për të sqaruar përgjegjësitë në këtë rast.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)