Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala ka reaguar ndaj akuzave të opozitës lidhur me pretendimet se pas datës 20 të çdo muaji, pacientët në spitale përballen me mungesë të shërbimit të analizave laboratorike nga ana e koncesionarit. Në përgjigjen e saj, Sala sqaroi se kontrata e koncesionit parashikon një planifikim mujor të volumit dhe buxhetit të analizave për çdo spital.
Sipas ministres, në momentin kur shfrytëzohet rreth 75% e këtij vëllimi, koncesionari njofton strukturat drejtuese të institucioneve shëndetësore si pjesë e mekanizmit të monitorimit dhe menaxhimit të shërbimit. Ajo theksoi se në këtë fazë shërbimi vijon normalisht, por në mënyrë që të garantohet funksionimi i sistemit, prioritet u jepet analizave urgjente dhe atyre që janë të domosdoshme për vendimmarrjen klinike.
“Është e rëndësishme të sqarohet për të gjithë qytetarët se shërbimi nuk ndërpritet në asnjë moment. Në këtë fazë shërbimi vijon normalisht, por prioriteti i jepet analizave urgjente dhe atyre të domosdoshme për vendimmarrje klinike”, deklaroi Sala.
Ajo shtoi se në raste të caktuara mund të shtyhen disa analiza rutinë, por pa ndikuar në procesin e diagnostikimit dhe trajtimit të pacientëve. “Çdo pacient që ka nevojë për analizë në funksion të diagnozës apo trajtimit, e merr atë pa ndërprerje”, përfundoi ministrja.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)