Akademiku Rexhep Qosja është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Ai ishte historian letërsie, kritik letrar, shkrimtar, publicist, politikan dhe akademik shqiptar.
Qosja ka qenë anëtar i rregullt dhe korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dhe ka qenë i angazhuar në politikën kosovare të pasluftës. Është autor i disa romaneve të njohura. Qe njëri ndër zërat më të spikatur të dramës moderne shqipe gjatë viteve 1970.
Më 2006 u inkuadrua në një debat për identitetin shqiptar me Ismail Kadarenë. Në debatin e hapur në vitin 2018 mbi shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ka mbrojtur tezën e korrigjimit të kufijve mes dy vendeve.
Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.
Në vitin 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi kompletin e veprave në 29 vëllime.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)