Ish-prokurori dhe aktualisht deputet i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, ka dëshmuar në gjykatë lidhur me atentatin e ndodhur më 1 nëntor 2019 në zonën e Shkozetit, në Durrës, ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku.
Gjatë dëshmisë, Ndoja rrëfeu me detaje momentet e sulmit, duke theksuar se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe pa asnjë shenjë paraprake.
“Kur kemi kaluar zonën pranë hyrjes së autostradës, kanë nisur krismat. Në fillim nuk e kuptova që ishin të shtëna me armë zjarri. Nuk ishin breshëri, por të ndara. Dukej sikur ishin dy armë të ndryshme”, deklaroi ai.
Sipas Ndojës, sulmi zgjati rreth 20 sekonda, kohë gjatë së cilës automjeti doli nga rruga pasi u godit.
“Kanë qenë dy armë sepse kishin zhurma të ndryshme dhe intervali kohor ishte i ndryshëm. Punë 20 sekondash ndodhi, deri kur doli automjeti nga rruga”, u shpreh ai.
Në momentin e atentatit, në makinë ndodheshin tre persona, Ndoja në sediljen e përparme, Maloku në timon dhe Aleksandër Laho në sediljen e pasme. Ndoja tregoi se drejtuesi i mjetit, edhe pse i plagosur rëndë, arriti të reagojë për disa çaste.
“Kur u plagos Andi Maloku devijoi timonin dhe ne u përplasëm me trafikndarëset. Ai ka qenë në gjendje koshiente. Unë kam qenë i përgjumur për shkak të plagës. Kur dola nga automjeti kam rënë pa ndjenja.”
Ai shtoi madje se Andi Maloku kishte arritur të telefononte familjarët menjëherë pas sulmit. Në dëshminë e tij, Ndoja theksoi se nuk kishte pasur asnjë konflikt apo kërcënim përpara atentatit.
“Gjatë vitit 2019 nuk kam pasur konflikt me ndonjë person. Përpara ngjarjes nuk kam vënë re asgjë të dyshimtë. Nuk më ka bërë përshtypje ndonjë automjet, nuk kisha dyshime apo shqetësime.”
Ai shtoi se nuk njeh autorët dhe as të pandehurit në proces. “Nuk njoh asnjërin prej të pandehurve. Vetëm kryesorin e njoh rastësisht, Plaurent Dervishi. Nëse do të kisha pasur dyshime, nuk do të dilja në rrugë në atë mënyrë”, tregoi ai.
Në përfundim të dëshmisë, ish-prokurori u shpreh se nuk ka asnjë dijeni konkrete mbi motivet apo autorët e atentatit.
“Përveç organeve të prokurorisë, nuk më ka kontaktuar askush për të më dhënë shpjegime mbi ngjarjen. Edhe sot e kësaj dite jam i qetë, sepse nuk i kam borxh kujt.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)