Një operacion ndërkombëtar kundër mashtrimeve kompjuterike ka çuar në goditjen e një rrjeti të dyshuar kriminal në Tiranë, i cili akuzohet se ka mashtruar qytetarë francezë përmes investimeve të rreme në kriptomonedha.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me autoritetet franceze, ka zhvilluar kontrolle në një “call center” dhe në disa banesa në kryeqytet, ku është arrestuar shtetasi Gentian Pjetergjoka, i dyshuar si organizatori kryesor i aktivitetit.
Sipas hetimeve, grupi operonte përmes platformës “Universal Trade”, duke kontaktuar viktimat me identitete të rreme dhe duke i bindur të investonin në kriptovaluta. Dëmi i shkaktuar llogaritet rreth 2 milionë euro, ndërsa vetëm katër shtetas francezë kanë humbur mbi 845 mijë euro.
Prokuroria bën me dije se, përmes bashkëpunimit me Eurojust dhe autoritetet franceze, është bërë e mundur gjurmimi i fondeve të transferuara në kriptovaluta, duke çuar në identifikimin e disa shtetasve shqiptarë që dyshohet se kanë hapur portofole digjitale për transferimin e parave.
“Hetimi i përbashkët ka mundësuar gjurmimin e fondeve të transferuara në kriptovaluta nga viktimat”, thuhet në njoftim, ndërsa theksohet se këto veprime janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Gjatë operacionit janë sekuestruar pajisje kompjuterike, telefona celularë, katër portofole “cold wallet”, dokumente të dyshuara si të falsifikuara, një automjet luksoz, si dhe shuma monetare në valuta të ndryshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)