Persona ende të paidentifikuar kanë kryer një nga grabitjet më të mëdha të viteve të fundit në Gjermani, duke depërtuar në një degë banke në zonën e Gelsenkirchen-it, në landin Nordrhein-Westfalen. Ngjarja ka ndodhur gjatë pushimeve të Krishtlindjeve, kohë kur aktiviteti në bankë ishte i reduktuar.
Sipas mediave gjermane dhe Agjencisë Gjermane të Lajmeve, autorët kanë shpuar murin nga një parking ngjitur, duke krijuar një hyrje të fshehtë drejt ambienteve të brendshme të bankës. Pasi hynë brenda, grabitësit arritën të hapnin me dhunë një numër jashtëzakonisht të madh kasafortash sigurie.
Autoritetet bëjnë të ditur se janë thyer rreth 3.200 kasaforta, ndërsa mbi 2.500 persona rezultojnë të prekur nga kjo grabitje masive. Vlera e sendeve dhe parave të vjedhura vlerësohet se mund të arrijë deri në 30 milionë euro, megjithëse shifra përfundimtare pritet të përcaktohet pas hetimeve të plota.
Pas publikimit të lajmit, situata jashtë degës bankare u tensionua. Rreth 200 klientë u mblodhën përpara ndërtesës, të tronditur dhe të shqetësuar. Disa shpërthyen në lot, ndërsa të tjerë kërkonin me ngulm të hynin brenda për të mësuar çfarë kishte ndodhur me kursimet e tyre. Policia ndërhyri për të qetësuar turmën, për të siguruar zonën dhe për të nisur mbledhjen e provave.
Banka, nga ana e saj, njoftoi se ka nisur bisedimet me kompaninë e sigurimeve dhe se po bashkëpunon me autoritetet. Në një deklaratë zyrtare, ajo theksoi se po ndihmon klientët për të kuptuar se cilat dokumente duhet të paraqesin, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve vijojnë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)