Prokuroria në Kosovë ka kërkuar burg të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën, dhe Kushtrim Kokallën, 3 të pandehurit kryesorë për vrasjen e Liridona Ademajt, një çështje që ka tronditur mbarë opinionin shqiptar.
Kërkesa është bërë gjatë fjalës përfundimtare të prokurores së rastit, Javorka Perlinçeviç, e cila para trupit gjykues ka paraqitur përmbledhjen e saj të provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Sipas saj, këto prova, të analizuara në tërësi, tregojnë se vrasja është planifikuar më herët dhe është kryer me qëllim përfitimi financiar.
Prokuroria pretendon se motivi kryesor i krimit lidhet me përfitimin nga një policë sigurimi jetësor e lidhur me viktimën. Sipas deklarimeve të saj në seancë, kjo policë është paguar pak kohë para ngjarjes, ndërsa më pas dyshohet se është kërkuar realizimi i vrasjes përmes personave të tretë të përfshirë në rast.
Në fjalën e saj, prokurorja ka theksuar se, sipas analizës së provave, ekzistojnë elemente që tregojnë një planifikim të qëllimshëm të ngjarjes dhe bashkëpunim mes të akuzuarve për ekzekutimin e saj. Ajo ka kërkuar që gjykata t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë me burgim të përjetshëm.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në rrethana veçanërisht të rënda, pasi viktima është vrarë në prani të dy fëmijëve të saj të mitur, të moshës 4 dhe 6 vjeç, çka sipas prokurorisë e rëndon edhe më tej përgjegjësinë penale të të akuzuarve.
Mbrojtja e të pandehurve pritet të paraqesë kundërshtimet e saj ndaj pretendimeve të prokurorisë, ndërsa trupi gjykues do të vlerësojë të gjitha provat dhe argumentet e palëve përpara se të marrë vendimin përfundimtar në këtë çështje që ka tronditur opinionin publik.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)