Tragjedia me 3 viktima në Malishevë, përjashtohet pista se zjarri u shkaktua nga gazi

Sipas dëshmive në vendngjarje, nuk është dëgjuar asnjë shpërthim dhe banesa është gjetur e mbushur me tym të dendur.

17.04.2026. 08:51

Tragjedia me 3 viktima në Malishevë, përjashtohet pista se zjarri u shkaktua nga gazi

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me tragjedinë e rëndë që ndodhi në Malishevë, ku babai me dy fëmijët e mitur humbën jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një banesë në lagjen “Mirëdita”.

Hetimet e Policisë së Kosovës, të zhvilluara në bashkëpunim me zjarrfikësit, tregojnë se ende nuk ka një shkak të konfirmuar për arsyet e zjarrit, ndërsa përjashtohet mundësia e një shpërthimi të bombolës së gazit, siç ishte dyshuar fillimisht.

Sipas dëshmive në vendngjarje, nuk është dëgjuar asnjë shpërthim dhe banesa është gjetur e mbushur me tym të dendur.

Ngjarja është raportuar rreth orës 12:55, kur banesa në një kompleks banimi social është përfshirë nga flakët. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente, por pavarësisht reagimit të shpejtë, tre personat që u gjetën në banesë nuk kanë arritur të mbijetojnë.

Viktimat janë një burrë 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij, të moshës 9 dhe 12 vjeç. Ata janë gjetur brenda banesës dhe më pas janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku është konstatuar vdekja e tyre.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa familjarët dhe banorët e zonës janë përballur me skena të rënda gjatë ndërhyrjes së ekipeve emergjente.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)