Edlir Tetova mbyll ciklin me Egnatian, dorëhiqet duke premtuar titullin e tretë në Superligë

Tekniku theksoi se fokusi i tij mbetet te përfundimi i sezonit në mënyrën më të mirë të mundshme, duke synuar suksesin maksimal në garat e mbetura. “Në Final Four do të kërkoj maksimumin për të fituar titullin”, deklaroi ai, duke nënvizuar se fryma e ekipit mbetet ajo e mosdorëzimit.

17.04.2026. 12:17

Edlir Tetova mbyll ciklin me Egnatian, dorëhiqet duke premtuar titullin e tretë në Superligë

Edlir Tetova ka vendosur të mbyllë bashkëpunimin me Egnatian në fund të këtij sezoni, duke i dhënë fund një periudhe të suksesshme trevjeçare në krye të rrogozhinasve. Lajmi u konfirmua nga vetë trajneri në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, ku ai e cilësoi këtë si një vendim personal, të marrë pas diskutimeve me presidentin Demrozi.

“Desha të komunikoj që është një vendim që kam marrë për të ndarë rrugët me Egnatian në fund të këtij sezoni. Është vendim personal dhe për të cilin kam diskutuar me presidentin Demrozi”, u shpreh Tetova.

Tekniku theksoi se fokusi i tij mbetet te përfundimi i sezonit në mënyrën më të mirë të mundshme, duke synuar suksesin maksimal në garat e mbetura.

“Në Final Four do të kërkoj maksimumin për të fituar titullin”, deklaroi ai, duke nënvizuar se fryma e ekipit mbetet ajo e mosdorëzimit.

I pyetur për pasardhësin e tij, Tetova preferoi të mos japë detaje, duke ia lënë vendimin drejtuesve të klubit, ndërsa në media ka qarkulluar emri i Ditmar Bicaj si pasuesi i tij në pankinë. “Nuk kam folur për këtë. Është shumë shpejt. Besoj se presidenti, duke parë edhe mënyrën si e sheh futbollin, do të bëjë një zgjedhje të zgjuar”, shtoi trajneri.

Tetova mori drejtimin e Egnatias më 27 janar 2023, duke e shndërruar ekipin në një nga forcat dominuese të futbollit shqiptar. Nën drejtimin e tij, skuadra zhvilloi 156 ndeshje, duke regjistruar 74 fitore, 43 barazime dhe 39 humbje.

Gjatë kësaj periudhe, Egnatia arriti të fitojë 2 tituj kampionë në Superligë, 2 Kupa dhe 1 Superkupë, ndërsa vetë Tetova u vlerësua dy herë radhazi si “Trajneri i Vitit” në Superiore.

Me një bilanc të tillë dhe një ndikim të dukshëm në rritjen e klubit, largimi i Tetovës shënon fundin e një cikli të artë për Egnatian.

Njoftimi për largimin e Tetovës nga Egnatia vjen në të njëjtën ditë kur Komisioni i Disiplinës në FSHF vendosi të shkurtojë në 3 muaj pezullimin e tij. Tetova ishte dënuar me 6 muaj nga të gjitha veprimtaritë e organizuara nga FSHF, pas vendimit të tyre për të tërhequr ekipin nga fusha në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)