“Penalltitë në Kavajë i gjuan kali”, gjendja katastrofike e stadiumit “Besa”

Deputeti Taulant Balla tregoi gjendjen e rrënuar të impiantit, më 9 maj 2025 FSHF prezantoi projektin fitues për ndërtimin e impiantit modern të kategorisë 4 të UEFA-s.

13.04.2026. 18:41

“Penalltitë në Kavajë i gjuan kali”, gjendja katastrofike e stadiumit “Besa”

Fushë e shkatërruar, si edhe tribunat dhe rrethimi i rrënuar. Kjo është gjendja aktuale e stadiumit “Besa” në Kavajë. Deputeti socialist Taulant Balla ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga impianti i degraduar, duke ngritur shqetësimin për vonesat në projektin e rikonstruksionit të tij.

Balla shkruan se nuk dihet se ku ka ngecur projekti, por thekson se qyteti me traditë në futboll e meriton një stadium të ri. “Nuk e di ku ka ngecur projekti i stadiumit të Besës, por di që ky qytet me traditë në futboll e meriton me patjetër. Besa bën 101 vite këtë vit. Kam qenë në dhjetor në prezantimin e projektit,” shkruan ai.

Deputeti socialist shkruante me ironi se “kali do vazhdojë të gjuajë penalltitë edhe vitin tjetër”, duke iu referuar gjendjes së terrenit aktual. Rreth një vit më parë, ishte publikuar si do të ndryshonte impianti.

Më 9 maj 2025, Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi projektin fitues për ndërtimin e stadiumit të ri në Kavajë, në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit dhe studion arkitekturore “Focus Architecture”. Sipas projektit, stadiumi i ri do të jetë një impiant modern i kategorisë 4 të UEFA-s, duke përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare dhe duke mundësuar zhvillimin e ndeshjeve edhe në nivel europian.

Foto: FSHF

Përveç funksionit sportiv, projekti parashikonte edhe hapësira për komunitetin, të cilat do të përdoren për aktivitete publike dhe sociale. Autoritetet theksonin se investimi synon të kthejë stadiumin në një qendër të rëndësishme sportive dhe sociale për qytetin e Kavajës, duke vendosur një standard të ri për infrastrukturën në qytetet shqiptare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)