Distria Krasniqi “e artë” në Evropianin e xhudos

Ky është titulli i katërt europian për Krasniqin dhe i treti radhazi, një arritje që e vendos atë mes xhudisteve më të suksesshme në Europë dhe në botë.

17.04.2026. 08:37

Distria Krasniqi “e artë” në Evropianin e xhudos

Distria Krasniqi ka arritur një tjetër sukses të madh në arenën ndërkombëtare të xhudos, duke u shpallur kampione e Europës për herë të katërt në karrierën e saj.

Sportistja nga Kosova triumfoi në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Tbilisi, pasi në finalen e kategorisë deri në 52 kilogramë mposhti rivalen e saj të njohur, Amandine Buchard.

Përballja mes dy sportisteve ishte e fortë dhe taktike, por Krasniqi arriti të imponojë epërsinë e saj, duke konfirmuar dominimin në këtë kategori.

Rrugëtimi drejt medaljes së artë ishte bindës për kampionen olimpike, e cila dominoi kundërshtaret që në fazat e para. Në gjysmëfinale, ajo siguroi finalen pasi mposhti italianen Odette Giuffrida në një duel të luftuar.

Ky është titulli i katërt europian për Krasniqin dhe i treti radhazi, një arritje që e vendos atë mes xhudisteve më të suksesshme në Europë dhe në botë. Me këtë sukses, ajo vazhdon të shkruajë historinë e sportit të Kosovës, duke ngritur lart flamurin në arenën ndërkombëtare.

Fitorja në Tbilisi konfirmon edhe një herë nivelin e lartë, disiplinën dhe vazhdimësinë mbresëlënëse të Krasniqit, e cila mbetet një nga figurat më të rëndësishme të sportit shqiptar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)