Izraeli dhe Hezbollahu ulin armët për 10 ditë, Trump paralajmëron fundin e luftës në rajon

Në thelb, ky armëpushim shihet më shumë si një “pauzë” në luftime sesa një zgjidhje e qëndrueshme, me shumë çështje të pazgjidhura që mund të rrezikojnë vazhdimësinë e tij.

Burimi: BBC

17.04.2026. 07:09

Izraeli dhe Hezbollahu ulin armët për 10 ditë, Trump paralajmëron fundin e luftës në rajon

Tashmë ka hyrë në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit, duke sjellë një ndalesë të përkohshme të luftimeve pas përshkallëzimit të fundit në rajon.

Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, parashikon një periudhë fillestare prej 10 ditësh armëpushim, me mundësi zgjatjeje nëse palët bien dakord për hapa të mëtejshëm drejt paqes.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka cilësuar atë si një mundësi për një marrëveshje më të gjerë “historike” me Libanin.

Sipas kushteve kryesore të armëpushimit, forcat izraelite do të mbeten përkohësisht në një zonë sigurie rreth 10 km brenda territorit jugor të Libanit, ndërkohë që qeveria libaneze duhet të marrë masa për të parandaluar sulmet e Hezbollahut.

Gjithashtu. forcat e sigurisë së Libanit do të kenë përgjegjësi të plotë për sovranitetin dhe mbrojtjen e vendit.

Hezbollahu ka sinjalizuar se do ta respektojë marrëveshjen, por kërkon ndalimin e plotë të sulmeve dhe tërheqjen e forcave izraelite.

Megjithatë, situata mbetet e brishtë. Ka raportime për shkelje të armëpushimit, përfshirë sulme sporadike dhe tensione në terren.

Ushtria libaneze ka paralajmëruar qytetarët të tregojnë kujdes, ndërsa Izraeli ka kërkuar që banorët të mos kthehen ende në zonat jugore pranë lumit Litani.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar këtë një moment “historik”, duke shprehur optimizëm se konflikti më i gjerë në rajon mund të shkojë drejt përfundimit së shpejti.

Në thelb, ky armëpushim shihet më shumë si një “pauzë” në luftime sesa një zgjidhje e qëndrueshme, me shumë çështje të pazgjidhura që mund të rrezikojnë vazhdimësinë e tij.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)