Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se bisedimet e zhvilluara në Paris me aleatët kryesorë perëndimorë përbëjnë një “hap të madh përpara” drejt përfundimit të luftës me Rusinë. Deklarata u bë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Sir Keir Starmer, ku u nënshkrua një deklaratë për dislokimin e forcave shumëkombëshe në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje.
Takimet u zhvilluan në kuadër të asaj që njihet si “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, ndërsa përpjekjet janë intensifikuar për të finalizuar garancitë e sigurisë për Kievin. Sipas Zelenskyt, një marrëveshje paqeje është “90% gati”, por 10% e mbetur lidhet me çështjen më të ndjeshme. Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 75% të rajonit të Donetskut dhe pothuajse të gjithë Luhanskun, dy zona kyçe të Donbasit.
Kryeministri britanik Keir Starmer konfirmoi se Britania e Madhe dhe Franca do të krijojnë “qendra ushtarake” në Ukrainë pas një armëpushimi, duke theksuar se kjo është pjesë e një angazhimi afatgjatë për sigurinë e vendit. Ai sqaroi se deklarata e nënshkruar hap rrugën për një kornizë ligjore që do t’u mundësonte trupave britanike, franceze dhe partnere të operojnë në territorin ukrainas, duke siguruar hapësirën ajrore dhe detare, si dhe duke ndihmuar në rindërtimin e forcave të armatosura ukrainase.
Downing Street njoftoi se “Forca Shumëkombëshe për Ukrainën” do të shërbejë si një forcë garantuese sigurie dhe do të ndihmojë vendin të rikthehet drejt stabilitetit pas luftës. Ndërkohë, Zelensky falënderoi publikisht liderët që, sipas tij, “sinqerisht dëshirojnë të jenë pjesë e një zgjidhjeje paqësore”.
“Çdo ditë jemi pak më afër, por ende nuk mjafton. Mjafton vetëm kur lufta në Ukrainë të përfundojë,” u shpreh presidenti ukrainas.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)