Çfarë është “bazooka”, “arma” e BE-së kundër tarifave të Trump

Mekanizmi shihet si përgjigje ndaj paralajmërimit të presidentit Donald Trump për rritjen e tarifave doganore ndaj vendeve europiane, që kanë dërguar trupa në Groenlandë.

19.01.2026. 14:35

Çfarë është “bazooka”, “arma” e BE-së kundër tarifave të Trump

Pas vendosjes nga Shtetet e Bashkuara të tarifave doganore mbi produktet europiane në vitin 2025, në Bruksel është rikthyer në vëmendje i ashtuquajturi instrument kundër masave shtrënguese. Nga mediat, ai është quajtur “bazooka” e Bashkimit Europian. Ky mekanizëm shihet si përgjigje e mundshme ndaj paralajmërimit të presidentit Donald Trump për rritjen e tarifave ndaj vendeve europiane që kanë dërguar trupa në Groenlandë.

Çfarë është instrumenti kundër masave shtrënguese

“Bazooka” i referohet instrumentit kundër masave shtrënguese, i cili hyri në fuqi në dhjetor 2023. Ai përdoret kundër vendeve të treta që ushtrojnë presion të padrejtë ekonomik ose politik ndaj Bashkimit Europian, apo ndaj një shteti anëtar. Masat ndëshkuese mund të prekin një gamë të gjerë sektorësh, nga mallrat tregtare deri te shërbimet digjitale, investimet dhe qasja në tregun europian.

Çfarë nënkuptonjnë “masat shtrënguese ekonomike”

Me termin masa shtrënguese ekonomike nënkuptohet përdorimi i kërcënimeve ose kufizimeve tregtare dhe të investimeve. Aty përfshihen tarifa doganore, bojkot, kontrolle doganore apo barriera administrative, me qëllim detyrimin e BE-së ose një shteti anëtar të ndryshojë një vendim politik ose ligjor.

Si lindi “bazooka” europiane

Ideja për krijimin e një kuadri ligjor kundër masave shtrënguese nga vende të treta daton në vitin 2020, kur Komisioni i parë i Ursula von der Leyen shpalli synimin për një instrument të fortë parandalues ndaj praktikave tregtare agresive. Fillimisht, masa synonte të frenonte veprimet e Rusisë, Kinës dhe SHBA-ve gjatë mandatit të parë të Trump, kur Uashingtoni vendosi tarifa mbi çelikun dhe aluminin europian.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)