Stuhia e fuqishme “Leonardo” ka goditur rëndë Spanjën, duke shkaktuar pasoja të mëdha në disa rajone, veçanërisht në Andaluzí, ku autoritetet kanë ndërmarrë masa emergjente për mbrojtjen e qytetarëve. Si pasojë e reshjeve intensive dhe erërave të forta, mbi 3500 persona janë evakuuar, dhjetëra rrugë janë mbyllur dhe është raportuar edhe shembja e një ure.
Situata më kritike paraqitet në provincën e Kadizit, ku një banesë u shemb në një zonë rurale, duke lënë të plagosur një person me fraktura të shumta. Sipas autoriteteve spanjolle, gjendja alarmante është regjistruar edhe në Grazalema, ku reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje të shumta. Në qytetin Benalua de las Vilas, në Granada, dalja nga shtrati e lumit Juntas ka çuar në shembjen e një pjese të urës, duke izoluar rreth 50 familje.
Për shkak të motit ekstrem, është pezulluar transporti hekurudhor dhe ai autobus në pjesën më të madhe të Andaluzisë, ndërsa janë mbyllur mbi 45 rrugë, përfshirë autostradën Sevilja-Kadiz. Rreth 3.800 banorë në 53 qytete kanë mbetur pa energji elektrike. Autoritetet meteorologjike kanë shpallur alarm të kuq në Kadiz, Malaga, Granada, Kordoba dhe Huelva.
Ndërkohë, në pjesën qendrore të Spanjës, stuhia ka sjellë edhe reshje dëbore, duke çuar në mbylljen e disa rrugëve dytësore në rajone si Asturia, Navarra dhe Salamanca. Qeveria spanjolle ka aktivizuar njësitë ushtarake të emergjencës, të cilat janë angazhuar në zonat më të prekura për evakuime dhe largimin e ujërave nga banesat.
Autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet e rrezikshme dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e emergjencës, ndërsa shërbimet e ndihmës kanë marrë mbi 1.000 thirrje vetëm gjatë orëve të para të stuhisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)