Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë aludime të qarta në lidhje me shëndetin e Vladimir Putin, duke thënë se homologu i tij rus "nuk ka shumë kohë të lirë".
Komenti vjen në një kohë kur Putin ka munguar në ngjarjetpublike, duke mos u shfaqur për më shumë se një javë.
Teksa foli për Politico gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, disa ditë para përvjetorit të katërt të pushtimit të Moskës, Volodymyr Zelensky me ironi tha: "Unë jam më i ri se Putini... Ai nuk ka shumë kohë, e dini."
“Jo, jo, më besoni, kjo është e rëndësishme”, shtoi Zelensky kur në panel nisën të qeshurat.
Lideri i Kievit po ashtu e përshkroi kundërshtarin e tij 73-vjeçar si një "skllav të luftës", duke bërë një paralele midis konfliktit aktual dhe Marrëveshjes së Mynihut të vitit 1938, e cila e detyroi Çekosllovakinë t'ia dorëzonte Adolf Hitlerit një rajon kufitar me Gjermaninë, Sudetenlandin.
Komentet e Zelensky vijnë ndërsa Putin është zhdukur në mënyrë misterioze nga sytë e publikut për më shumë se një javë, me mediat shtetërore ruse që transmetojnë pamje të regjistruara më herët të takimeve të udhëheqësit të Kremlinit me zyrtarët.
Putin u shfaq për herë të fundit në publik më 5 shkurt dhe ende është e paqartë se çfarë e ka shkaktuar mungesën e tij të fundit.
Në një ndërhyrje tjetër të shtunën, Zelensky tha duke iu referuar presidentit rus se "ai nuk mund të heqë dorë nga ideja e luftës”. “Nëse jeton edhe 10 vjet të tjera, lufta mund të kthehet ose të zgjerohet", shtoi ai.
Duke vazhduar, Zelensky tha se Putini nuk ecën rrugëve dhe "gjërat normale nuk i interesojnë”. “Ai frymëzohet më shumë se çdo gjë nga Cari Pjetër dhe Perandoresha Katerina, arkitektët e ambicieve perandorake ruse", nënvizoi ai.
Ai theksoi se për këtë arsye Ukraina ka nevojë për garanci të vërteta sigurie para përfundimit të luftës dhe shprehu shpresën se "Presidenti Trump dhe Kongresi do të na dëgjojnë".
Lidhur me skenarin e zgjedhjeve në Ukrainë, Zelensky theksoi se ato janë të mundshme vetëm nëse ka një armëpushim që do t'u lejojë ukrainasve të shkojnë në votime.
“Sigurisht, askush nuk mbështet zgjedhjet në kohë lufte. Është e çuditshme”, tha ai, duke shtuar se nëse Uashingtoni me të vërtetë dëshiron zgjedhje dhe mund të arrijë një armëpushim për dy muaj, ato do të mbahen.
“Ndoshta jo dy muaj, por na duhen shumë ditë për t’u përgatitur. Ndonjëherë dëgjoj, po, kemi pasur zgjedhje në Shtetet e Bashkuara gjatë kohës së Linkolnit... Si mund ta krahasojmë? Kemi raketa... Jemi nën sulme balistike... Pra, na jepni një armëpushim, Presidenti Trump mund ta bëjë, ushtron presion mbi Putinin, bën një armëpushim, pastaj parlamenti ynë do të ndryshojë ligjin dhe ne do të shkojmë në zgjedhje”, shtoi Zelensky.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)