Vdekja tragjike e tre gjuetarëve në malet Nebrodi ka tronditur Italinë, ndërsa hetimet duket se kanë hyrë në një fazë vendimtare. Ngjarja e rëndë ndodhi më 28 janar në një zonë pyjore në Montagnareale, në provincën e Mesinës, në Itali.
Sipas rindërtimit paraprak të autoriteteve, 44-vjeçari Giuseppe Pino dyshohet se u qëllua gabimisht pasi u ngatërrua me një derr të egër. Hetuesit besojnë se 82-vjeçari Antonio Gatani ka qëlluar i pari, i nxitur nga një lëvizje në shkurre dhe duke menduar se kishte përballë prenë. Plumbi rezultoi fatal për Giuseppe Pino, i cili humbi jetën në vend.
Pas rrëzimit të vëllait të tij, 26-vjeçari Davis Pino raportohet se ka reaguar duke qëlluar Gatani-n në gjoks, duke e vrarë. Më pas, në një zinxhir tragjik reagimesh, një burrë i katërt, 50-vjeçar me inicialet A.S., ka pranuar se ka qëlluar ndaj Davisit, duke i marrë jetën edhe atij.
Megjithatë, deklarata e tij fillestare nuk konsiderohet e vlefshme ligjërisht, pasi është dhënë para se të vihej zyrtarisht nën hetim dhe pa praninë e avokatit. Pasi mori statusin e të dyshuarit, ai ka zgjedhur të mos flasë. Ai pritet të merret sërish në pyetje në ditët në vijim.
Hetuesit janë në pritje të rezultateve balistike të armës së sekuestruar dhe po analizojnë pamjet nga një kamerë e vendosur në pushkën e Davis Pinos. Megjithëse pamjet janë të errëta për shkak të kushteve të motit dhe errësirës, autoritetet shpresojnë se ato do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)