Shpërthim i fuqishëm në Romë, shembet një pallat, dëmtohen dy të tjerë

Tre ndërtesa janë dëmtuar si pasojë e një rrjedhjeje gazi në Romë, duke shkaktuar disa të lënduar.

Burimi: TGCOM

22.03.2026. 14:41

Shpërthim i fuqishëm në Romë, shembet një pallat, dëmtohen dy të tjerë

Një shpërthim i fuqishëm ka shkaktuar shembjen e një godine dhe dëmtimin e dy vilave të tjera në Romë, në zonën Piana del Sole, në periferinë perëndimore të kryeqytetit italian.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën Via Tavagnasco, dhe sipas informacioneve paraprake, shpërthimi është shkaktuar nga një rrjedhje gazi.

Si pasojë e shpërthimit, një kompleks prej tre ndërtesash është prekur rëndë, ndërsa muret janë shkatërruar pothuajse plotësisht dhe copëzat e tyre kanë dëmtuar edhe disa automjete të parkuara pranë.

Në vendngjarje ndodhen forca të shumta emergjence, përfshirë zjarrfikësit, policinë dhe ekipet mjekësore, të cilët po punojnë për të menaxhuar situatën dhe për të kërkuar persona të tjerë që mund të jenë nën rrënoja.

Sipas të dhënave të para, dy persona janë nxjerrë nga rrënojat në gjendje të rëndë dhe janë dërguar me urgjencë në spital. Ndërkohë, rreth 70 banorë janë evakuuar nga zona për arsye sigurie.

Autoritetet bëjnë me dije se kërkimet vijojnë, pasi ekziston frika se mund të ketë ende persona të tjerë të bllokuar nën rrënoja.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)