Një ngjarje tronditëse është regjistruar në Lucca, pasi një foshnjë vetëm njëmuajshe ka rezultuar pozitive me kokainë. Zbulimi ka shtyrë gjykatën për të mitur të marrë një vendim të menjëhershëm, duke larguar të shtatë fëmijët nga një çift prindërish në Toscana të Italisë.
Nëna, rreth 30 vjeçe, ishte paraqitur me urgjencë në spital pa asnjë dokument, ndërsa analizat e kryera mbi të dhe foshnjën zbuluan një situatë të rëndë degradimi familjar. Hetimet nxorën në pah mungesa të shumta në shkollë për fëmijët, mungesë vaksinimesh, vështirësi në shkrim dhe lexim si edhe kushte të dobëta higjienike.
Fëmijët, të cilët kanë lindur mes viteve 2015 dhe 2024, kishin bërë shumë mungesa në shkollë deri në braktisjen e plotë të saj. Mësuesit i kanë përshkruar më të rriturit si të edukuar dhe të sjellshëm, por me vështirësi të theksuara në gjuhë dhe në arritjen e objektivave minimale mësimore. Ata shpesh paraqiteshin në klasë në kushte të papërshtatshme dhe pa materiale shkollore.
Edhe banesa e familjes është cilësuar nga shërbimet sociale si e papërshtatshme, ndërsa fëmijët janë gjetur të lënë pas dore dhe pa vaksinat e detyrueshme. Nëna, kishte kërkuar ndihmë në disa raste, por çdo ndërhyrje është refuzuar nga babai, i cili kishte deklaruar se do të kujdesej vetë për fëmijët dhe se nuk pranonte ndërhyrje nga jashtë.
Gjykata ka vendosur që nëna mund të qëndrojë me foshnjën vetëm nëse nis menjëherë një program rehabilitimi për varësinë nga drogat dhe provon se është e pastër nga substancat. Takimet me babanë do të jenë të monitoruara dhe të kushtëzuara nga mospërdorimi i drogës. Prindërit kanë pranuar vështirësitë e tyre, ndërsa në seancën e ardhshme do të vlerësohen përparimet e mundshme në përmirësimin e situatës familjare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)