Zgjedhjet e teta në 5 vjet, Bullgaria i drejtohet sërish kutive të votimit

Situata politike shoqërohet edhe me vështirësi ekonomike dhe rritje të kostos së jetesës, faktorë që kanë ushqyer pakënaqësinë sociale dhe protestat e fundit.

19.04.2026. 12:19

Zgjedhjet e teta në 5 vjet, Bullgaria i drejtohet sërish kutive të votimit

Bullgaria po zhvillon zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat janë të tetat brenda pesë viteve të fundit. Gjithçka po zhvillohet në një klimë të paqëndrueshme politike dhe ekonomike. Vendvotimet u hapën të dielën nga ora 7:00 e mëngjesit dhe qytetarët do të ushtrojnë të drejtën e votës.

Bullgaria, i cili është edhe vendi më i varfër i Bashkimit Europian vazhdon të përballet me vështirësi në formimin e qeverive të qëndrueshme që prej vitit 2021. Sipas sondazheve, në krye të garës qëndron ish-presidenti Rumen Radev, i cili në janar dha dorëheqjen pas nëntë vitesh në detyrë për të udhëhequr bllokun e ri “Bulgaria Progressiste”. Ai ka premtuar luftë ndaj asaj që e quan “model oligarkik” dhe reformim të thellë institucional.

“Radev ka ndërtuar mbështetje gjatë krizës dhe valës së protestave që kulmuan në fund të vitit 2025”, raportohet nga analiza politike e zgjedhjeve. Megjithatë, përballë tij mbetet partia konservatore GERB e ish-kryeministrit Boyko Borissov, e cila renditet rreth 20% në sondazhe, e ndjekur nga liberalët e Pp-Db. Pavarësisht epërsisë së Radev, pritet që parlamenti të dalë i fragmentuar, duke rritur rrezikun e një tjetër ngërçi politik.

Radev, ish-gjeneral i forcave ajrore, është një figurë e pazakontë në politikën bullgare, pasi presidenca në vend ka kryesisht rol ceremonial. Ai është shprehur kritik ndaj ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe ka mbështetur një qasje më të afërt me Rusinë, që i ka shtuar mbështetjen në një pjesë të elektoratit të pakënaqur.

Situata politike shoqërohet edhe me vështirësi ekonomike dhe rritje të kostos së jetesës, faktorë që kanë ushqyer pakënaqësinë sociale dhe protestat e fundit. Pritet që pjesëmarrja në votime të arrijë rreth 55%, më e lartë se zgjedhjet e mëparshme, e cila ishte rreth 45%. Rreth 6.5 milionë qytetarë kanë të drejtë vote, duke përfshirë edhe diasporën. Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 20:00 lokale (19:00 në Shqipëri), ndërsa exit poll-et e para priten në mbrëmje.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)