Aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, USS Gerald R. Ford është rikthyer në ujërat e Lindjes së Mesme dhe pasi kaloi Kanalin e Suezit, ndodhet tashmë në Detin e Kuq. Lajmi raportohet nga disa media ndërkombëtare.
USS Gerald R. Ford, e cila deri pak kohë më parë ndodhej në lindje të Detit Mesdhe, kaloi Suez-in së bashku me dy shkatërruesit USS Mahan dhe USS Winston S. Churchill dhe sipas zyrtarëve amerikanë aktualisht po operon në Detin e Kuq.
Sipas tyre, aeroplanmbajtësja po kthehet në këtë zonë pas më shumë se një muaji në Mesdhe, aty ku iu nënshtrua riparimeve pas një zjarri të rëndë në lavanderitë në bord, që e detyruan të ankorohej në port. Këtë javë, Ford ka thyer gjithashtu rekordin për qëndrimin më të gjatë në mision të një aeroplanmbajtëseje amerikane që nga Lufta e Vietnamit.
Me mbërritjen e saj, Ford bëhet aeroplanmbajtësja e dytë në rajon, përkrah USS Abraham Lincoln që ndodhet në Detin Arabik. Sipas një zyrtari të mbrojtjes amerikane, edhe USS George H. W. Bush po lëviz drejt rajonit dhe aktualisht ndodhet pranë brigjeve të Afrikës së Jugut.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)