Shumë shpejt, në Eurozonë pritet të zhduket përfundimisht nga qarkullimi bankënota më e madhe në vlerë, ajo prej 500 eurosh. Vendimi vjen nga Banka Qendrore Evropiane, e cila ka ndërprerë tashmë prodhimin e saj dhe po vijon me procesin e rinovimit të plotë të kartëmonedhave në përdorim.
Sipas planit të ri të bankës, bankënota 500 euro nuk do të jetë pjesë e serisë së ardhshme të parasë euro, e cila po zhvillohet me dizajne të reja dhe elemente më të avancuara sigurie. Kjo kartëmonedhë do të mbetet vetëm me status simbolik ose koleksionues, ndërsa në qarkullim do të fokusohen më shumë prerjet e vogla dhe më të përdorura si 20, 50 dhe 100 euro.
Arsyeja kryesore e këtij vendimi lidhet me faktin se bankënota 500 euro është përdorur shpesh në aktivitete të paligjshme, për shkak të lehtësisë së transportit të shumave të mëdha në një hapësirë të vogël. Ajo është lidhur në disa raste me pastrim parash dhe financim aktivitetesh kriminale, çka ka shtyrë institucionet evropiane të kufizojnë përdorimin e saj.
Banka Qendrore Evropiane është aktualisht në një proces të gjerë modernizimi të monedhës euro, ku përveç dizajnit të ri, po synohet edhe rritja e sigurisë dhe vështirësia e falsifikimit përmes teknologjive të avancuara.
Ndërkohë, bankënota 200 euro do të mbetet ende në qarkullim, edhe pse në treg ka diskutime nëse edhe ajo mund të përfshihet në të ardhmen në të njëjtin proces reduktimi.
Për qytetarët që ende posedojnë bankënota 500 euro, autoritetet sqarojnë se ato nuk humbasin vlerën. Ato mund të përdoren normalisht në transaksione ose të depozitohen në banka, të cilat më pas i këmbejnë me prerje më të vogla përmes sistemit bankar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)