Një shtetas shqiptar ka kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar, duke pretenduar se jeta e tij është në rrezik nëse kthehet në Shqipëri, pasi sipas tij do të përballej me një atentat të sigurt nga një grup kriminal.
36-vjeçari Irfan Azizi po përballet me një proces ekstradimi, ku autoritetet shqiptare kërkojnë kthimin e tij për të vuajtur një dënim me burg. Ai është dënuar në mungesë me një vit burg për posedim të paligjshëm të një telefoni gjatë kohës që ndodhej në paraburgim për vepra të tjera penale.
Gjatë seancës, Azizi deklaroi se në vitin 2020 i shpëtoi për pak një atentati me armë zjarri. “Ata nisën të qëllonin ndaj meje, rreth 30 plumba”, ndërsa shtoi se një prej plumbave i kishte kapur dorën. Sipas tij, grupi që e sulmoi vazhdon të jetë aktiv dhe do të kërkojë ta eliminojë nëse ai rikthehet në Shqipëri.
Ai pretendoi gjithashtu se organizata kriminale ka ndikim të madh dhe kryen vrasje edhe për figura të rëndësishme, duke theksuar frikën për jetën e tij dhe të familjes. “Nëse kthehem në Shqipëri, ata do të më vrasin. Nuk dua të detyrohem të mbrohem duke kryer krim”, u shpreh Azizi për Daily Mail.
Nga ana tjetër, prokuroria britanike ka vënë në dyshim këto pretendime, duke theksuar se gjatë pesë viteve që ai ka jetuar në Britani nuk ka pasur asnjë kërcënim konkret ndaj tij apo familjes së tij. Gjithashtu, është përmendur edhe e kaluara e tij kriminale në Shqipëri, ku ai ka qenë i përfshirë në vjedhje dhe aktivitete të paligjshme, si dhe është dënuar më parë me disa vite burg.
Në Britani, Azizi është dënuar gjithashtu me gjashtë muaj burg në vitin 2025 për përdorimin e patentave false gjermane.
Gjatë dëshmisë, ai pranoi se kishte paguar për të mbyllur çështjen ndaj tij në Shqipëri. “Kjo është mënyra si funksionon, paguan para për të mbyllur çështjen”, deklaroi ai.
Azizi jeton aktualisht në Britani me bashkëshorten dhe katër fëmijët e tyre, ndërsa familja ka përfituar strehim në qendra të financuara nga shteti për azilkërkuesit.
Procesi gjyqësor për ekstradimin e tij vijon, ndërsa gjykata do të duhet të vendosë nëse pretendimet për rrezik real në Shqipëri janë të mjaftueshme për të bllokuar kthimin e tij.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)