“U sulmuam me plumba gome e helme arinjsh”, Berisha: Protestën e ardhshme, dhuna do jetë proporcionale

Sali Berisha paralajmëroi se në protestën e radhës, dhuna do të jetë proporcionale, nisur nga ndërhyrja e ashpër që bëri policia në manifestimin e fundit të opozitës.

20.04.2026. 19:57

“U sulmuam me plumba gome e helme arinjsh”, Berisha: Protestën e ardhshme, dhuna do jetë proporcionale

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë gjatë Foltores së radhës të demokratëve përpara Kryeministrisë në Tiranë, ku akuzoi qeverinë për dhunë ndaj protestuesve.

Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se kanë krijuar, sipas tij, një klimë frike dhe represioni ndaj qytetarëve, duke e konsideruar situatën si një përkeqësim të rëndë të gjendjes demokratike në vend.

Sipas tij, protesta do të vazhdojë dhe do të përshkallëzohet në varësi të reagimit të autoriteteve dhe përdorimit të forcës ndaj protestuesve.

“Kudo mbahen protesta në Evropë. Ndodh që të jenë të dhunshme. I kemi parë të gjitha pamjet, dyqane që vidhen. Kur nuk janë parë pamje si ato kur u dhunuan shqiptarët të premten. Protesta nuk pati asnjë ushtrim dhunë nga protestuesit paqësor. Në momentin që përfundova fjalimin, policët u lëshuan si kafshë ndaj protestuesve, sikur të ishin hasmi i këtij vendi. Por pse kjo dhunë? Sepse Rama dhe vartësit e tij me vetëdije helmuan qytetarët, të kapur nga një frikë e tmerrshme në shpirtin e zi. Ne po protestonim.

Ne kërkonim largimin e Ramës, si armiku më i egër që nga koha e Hoxhës. Protestonim kundër rritjes së çmimeve, farsës elektorale, kundër bllokimit të drejtësisë. Ne ishim në protestë kundër pengesave të integrimit evropian. Është e para herë që kjo ëndërr është vënë në rrezik nga vjedhjet Rama-Balluku që nga 1991. Ne ishim në protestë për pagat e ulëta, për pensionet qesharake, për apartamentet mollë e ndaluar që askush nuk mund t’i blejë. Ne ishim në protestë kundër shpopullimit. U sulmuam me granata, e plumba gome, me helme për ariun. Protesta e ardhshme do të jetë proporcionale sipas dhunës që do të ushtrohet”, tha Berisha.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)