“Paketa e Maleve”, Rama: Nuk është për investitorët e mëdhenj, por për qytetarët

Kryeministri Edi Rama tha se “Paketa e Maleve” synon t’u japë mundësi qytetarëve të zhvillojnë pronat në zonat malore për agroturizëm dhe investime, duke zgjidhur problemet e pronësisë nga ligji 7501 përmes një procesi të kontrolluar nga bashkitë dhe shteti.

20.04.2026. 18:51

“Paketa e Maleve”, Rama: Nuk është për investitorët e mëdhenj, por për qytetarët

Kryeministri Edi Rama ka folur edhe njëherë për “Paketën e Maleve” gjatë një takimi me sipërmarrës të sektorit të agroturizmit, duke theksuar se nisma synon zhvillimin e zonave rurale dhe jo favorizimin e kompanive të mëdha apo investitorëve të fuqishëm.

Sipas Ramës, paketa ka si qëllim t’u japë mundësi qytetarëve dhe komuniteteve lokale të zhvillojnë pronat e tyre, veçanërisht në zonat malore dhe turistike.

Ai shpjegoi se nisma është hartuar për të adresuar problematikat e krijuara ndër vite nga ligji 7501 dhe paqartësitë mbi pronësinë e tokës. Sipas tij, shumë qytetarë zotërojnë shtëpi apo toka të vjetra pa dokumente të rregullta pronësie, dhe “Paketa e Maleve” u jep atyre mundësinë të zhvillojnë këto prona përmes një procedure të re administrative.

“Paketa e maleve, besoj që gjithsecili prej jush mund të dojë të ketë një rrjet agroturizmi dhe për këtë shërben paketa e maleve. Ndryshe nga çfarë është keqtrajtuar apo deformuar në media, nuk është një paketë për kompanitë e mëdha apo investitorët. Është një paketë për të dhënë territore, troje publike, për zhvillime private; nuk është ky qëllimi dhe objekti i paketës. Ajo ka lindur nga nevoja për t’i dhënë drejtim një problemi shumë të madh, të ligjit 7501 dhe konfliktit me këtë ligj”, tha kryeministri.

Rama sqaroi se aplikimi bëhet pranë bashkisë, e cila publikon kërkesat për një periudhë 45-ditore. Më pas projektet shqyrtohen dhe, nëse miratohen, lejohet ndërtimi. Titulli i pronësisë jepet vetëm pas përfundimit të investimit, me qëllim shmangien e bllokimit të tokës dhe abuzimeve të mundshme.

Ai shtoi se në rastet kur shfaqen pretendime të tjera pronësie, procesi trajtohet nga shteti, i cili merr përsipër zgjidhjen dhe kompensimin sipas ligjit.

“Shumë shqiptarë kanë shtëpi të vjetra që duan t’i zhvillojnë, por nuk kanë titullin e pronësisë; me paketën e maleve kjo bëhet e mundur duke aplikuar pranë bashkisë. Bashkia e merr dhe afishon një listë për 45 ditë. Nuk merret titulli i pronësisë menjëherë, por shkon në instancë dhe aplikohet me projektin; miratohet projekti dhe ti ndërton. Vetëm pasi ke përfunduar ndërtimin merr titullin e pronësisë; nuk mund ta marrësh peng tokën. Ligji parashikon se, në çdo rast, në një kohë X shfaqet dikush tjetër; nuk merresh ti, merret shteti dhe i takon atij ta kompensojë”, deklaroi Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)