Kreu i FBI padit gazetën e njohur për shpifje, kërkon dëmshpërblim marramendës

Padia është depozituar në Gjykatën Federale në Uashington dhe kërkon dëmshpërblim prej 250 milionë dollarësh.

Burimi: Reuters

20.04.2026. 20:28

Kreu i FBI padit gazetën e njohur për shpifje, kërkon dëmshpërblim marramendës

Drejtori i FBI-së, Kash Patel ka ngritur një padi për shpifje kundër revistës “The Atlantic” dhe gazetares Sarah Fitzpatrick, pas publikimit të një artikulli që pretendonte se ai kishte probleme me alkoolin dhe mungesa të pajustifikuara në punë, të cilat mund të ndikonin në sigurinë kombëtare.

Në shkrimin fillestar, media citoi mbi 20 burime anonime që shprehën shqetësime për sjelljen e tij dhe ndikimin në funksionimin e FBI-së, duke pretenduar vonesa në vendimmarrje dhe mungesa në takime të rëndësishme. Artikulli më pas u rishikua dhe iu ndryshua titulli.

Kash Patel i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i quajtur të pavërteta dhe shpifje, ndërsa ka deklaruar se do të ndjekë çështjen në gjykatë. Ai pretendon se media ka injoruar sqarimet e FBI-së dhe ka publikuar informacione të pasakta me qëllim dëmtimin e reputacionit të tij.

Nga ana tjetër, “The Atlantic” ka deklaruar se qëndron pas raportimit të saj dhe se do të mbrojë gazetarët në procesin gjyqësor, duke e cilësuar padinë si të pabazuar.

Padia është depozituar në Gjykatën Federale në Uashington dhe kërkon dëmshpërblim prej 250 milionë dollarësh, duke argumentuar se media ka vepruar me “keqdashje të qëllimshme”, një standard i lartë ligjor për rastet e shpifjes ndaj figurave publike në SHBA.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)