Lufta, paqja, negociatat, marrëveshja dhe bllokada në Ngushticën e Hormuzit. Ndërsa grupet negociatore po përgatiten të zbresin në terren, për të arritur një marrëveshje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, presidenti amerikan Donald Trump ka marrë situatën nën kontroll në aspektin mediatik.
Fillimisht, shefi i Shtëpisë së Bardhë mohoi lajmet se e shtyu Izraeli të shkonte në luftë kundër Iranit. “Izraeli nuk më bindi kurrë të shkoja në luftë me Iranin, por rezultatet e 7 tetorit e bënë. Ato përforcuan bindjen time të gjatë se Irani nuk mund të ketë kurrë një armë bërthamore”, shkroi presidenti amerikan në rrjetin social “Truth”.
“I shoh dhe i lexoj komentet dhe sondazhet e lajmeve të rreme me mosbesim të plotë. Nëntëdhjetë përqind e asaj që thonë janë gënjeshtra dhe histori të sajuara dhe sondazhet janë të manipuluara, ashtu siç ishin zgjedhjet presidenciale të vitit 2020”, shtoi ai.
Ndërkohë, në një deklaratë të shkurtër për “Fox Neës”, presidenti Trump tha se “marrëveshja me Iranin do të nënshkruhet sot në Pakistan”. Më herët, ai kishte njoftuar në një intervistë me “Neë York Post” se delegacioni amerikan i udhëhequr nga zv. presidenti J.D. Vance po udhëtonte në Islamabad për bisedime.
Negociatat e amerikanëve me Iranin në Pakistan do të fillojnë të martën. Duke përsëritur se armëpushimi skadon të mërkurën në mbrëmje, sipas kohës së Uashingtonit, Trump i tha “Bloomberg”: “Nuk do të nxitohem për një marrëveshje. Kemi gjithë kohën e botës”.
Gjithashtu, presidenti amerikan ka këmbëngulur se nuk ka ndërmend ta heqë bllokadën amerikane të Hormuzit, derisa të ketë një marrëveshje. “Ata duan që unë ta hap ngushticën. Ata duan me dëshpërim që unë ta hap, por nuk do ta bëj derisa të nënshkruhet një marrëveshje”, shtoi ai.
Më tej, në deklaratën për “Bloomberg”, presidenti Donald Trump tha se nëse nuk nënshkruhet një marrëveshje, zgjatja e armëpushimit me Iranin është “shumë e pamundur”. Armëpushimi skadon të mërkurën, theksoi shefi i Shtëpisë së Bardhë. Sipas tij, “rezultatet në Iran do të jenë të habitshme si në Venezuelë”. “Nëse udhëheqësit e rinj iranianë janë të zgjuar, Irani mund të ketë një të ardhme të shkëlqyer dhe të begatë!”, shkruhej nga presidenti i SHBA-së në “Truth”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)