Teherani i pavendosur për tu ulur në negociata, Trump dërgon zv.presidentin JD Vance në Pakistan

Iranianët kanë bërë të ditur se aktualisht nuk do të marrin pjesë në negociata, pas incidentit ku forcat amerikane kanë sekuestruar një anije iraniane në Ngushticën e Hormuzit.

20.04.2026. 16:04

Teherani i pavendosur për tu ulur në negociata, Trump dërgon zv.presidentin JD Vance në Pakistan

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijojnë, ku tentativat për zhvillimin e tryezës së dytë të negociatave, po shoqërohen me deklarata dhe retorika të ashpra politike. Teherani ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë një vendim për pjesëmarrjen në bisedimet e reja diplomatike.

Presidenti amerikan Donald Trump, në një deklaratë për New York Post tha se SHBA po ofron një “marrëveshje të drejtë”, por paralajmëroi ashpër: “Nëse nuk pranojnë, do të shkatërrojmë çdo central elektrik dhe çdo urë në Iran”.

Foto nga web

Megjithatë, Teherani i ka refuzuar këto kërcënime, duke i cilësuar si ultimatum. “Nuk pranojmë ultimatume. Në rast sulmi do të përgjigjemi”, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane, sipas agjencisë Tasnim. Shteti islamik ka bërë të ditur se aktualisht nuk do të marrë pjesë në negociata, pas incidentit ku forcat amerikane kanë sekuestruar një anije iraniane në Ngushticën e Hormuzit.

Megjithatë, sinjale të kujdesshme për dialog vazhdojnë të ekzistojnë. Presidenti i Komisionit Parlamentar iranian për Sigurinë Kombëtare, Ebrahim Azizi tha për Al Jazeera se nëse nga SHBA vijnë “sinjale pozitive”, Irani mund të dërgojë një ekip negociator në Islamabad.

Ndërkohë, delegacioni amerikan i udhëhequr nga JD Vance është nisur drejt Pakistanit dhe pritet të mbërrijë brenda disa orësh për të marrë pjesë në raundin e ri të negociatave. “Zv.presidenti dhe një delegacion, janë rrugës për në Pakistan dhe do të mbërrijnë atje së shpejti”, tha presidenti amerikan, Donald Trump për New York Post.

Foto nga web

Ndërkohë, në Islamabad janë shtuar masat e sigurisë dhe është shpallur një “zonë e kuqe” përreth institucioneve kryesore shtetërore dhe ambasadave, ndërsa shkollat dhe zyrat publike në zonë janë mbyllur. Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Mohsin Naqvi është takuar me ambasadorët e Iranit dhe SHBA-së, në përpjekje për të lehtësuar tensionet dhe për të mbështetur procesin diplomatik.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)