Kërkohet dorëheqja e kryeprokurorit në Greqi, skandali i përgjimeve rikthen tensionet

Skandali lidhet me përdorimin e programit të sofistikuar të spiunazhit “Predator spyware”, përmes të cilit dyshohet se janë përgjuar telefonat e politikanëve, gazetarëve dhe biznesmenëve.

30.04.2026. 18:41

Kërkohet dorëheqja e kryeprokurorit në Greqi, skandali i përgjimeve rikthen tensionet

Një nga çështjet më të bujshme të viteve të fundit në Greqi është rikthyer sërish në qendër të debatit publik, duke vënë nën presion sistemin e drejtësisë. Dhoma e Avokatëve në Athinë ka kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit të Gjykatës së Lartë, Konstantinos Tzavellas, pas vendimit për të mos rihapur hetimet mbi skandalin e përgjimeve të vitit 2022.

Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme, ku shumica e anëtarëve të Dhomës së Avokatëve shprehën kundërshtimin ndaj qëndrimit të Prokurorisë. Ata argumentojnë se ekzistojnë indicie të mjaftueshme për shkelje të rënda penale dhe se hetimet duhet të vijojnë. Skandali lidhet me përdorimin e programit të sofistikuar të spiunazhit “Predator spyware”, përmes të cilit dyshohet se janë përgjuar telefonat e politikanëve, gazetarëve dhe biznesmenëve.

Megjithatë, kryeprokurori ka argumentuar se mungojnë prova të reja për të rihapur çështjen, pavarësisht një vendimi gjyqësor që sugjeron të kundërtën. Kjo qasje është cilësuar nga juristët si problematike, madje është ngritur edhe shqetësimi për konflikt interesi, duke qenë se Tzavellas ka pasur rol në fazat e mëparshme të kësaj çështjeje. Ndër figurat që pretendojnë se janë përgjuar është edhe lideri i PASOK, Nikos Androulakis, i cili ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

Opozita ka drejtuar akuza ndaj qeverisë së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, duke pretenduar përfshirje të strukturave shtetërore në përgjime. Nga ana tjetër, qeveria i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke mohuar çdo lidhje me përdorimin e softuerit “Predator”. Dyshimet janë shtuar edhe nga deklaratat e Tal Dilian, i cili ka pohuar se teknologjia e tillë u shitet vetëm institucioneve qeveritare. Edhe pse hetimi kryesor nuk është rihapur, çështja mbetet aktive në gjykata. Një seancë e rëndësishme në apel pritet të zhvillohet më 11 dhjetor për katër persona të dënuar në lidhje me këtë skandal.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)