“Rikthehet Shkolla e Aviacionit në Vlorë”, 75-vjetori i Forcve Ajrore, Begaj: Një kapitull i ri

Gjatë ceremonisë u kujtua edhe historia e aviacionit ushtarak shqiptar, që daton më 24 prill 1951, kur u realizua fluturimi i parë në hapësirën ajrore të vendit nga piloti Peço Polena me avionin tip Jak-9P.

30.04.2026. 19:09

“Rikthehet Shkolla e Aviacionit në Vlorë”, 75-vjetori i Forcve Ajrore, Begaj: Një kapitull i ri

Në bazën ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë, u zhvillua ceremonia e 75-vjetorit tw krijimit të Aviacionit Ushtarak Shqiptar, me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë të shtetit dhe të Forcave të Armatosura. Në aktivitet morën pjesë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, si edhe zyrtarë të tjerë të lartë dhe përfaqësues të komunitetit të aviacionit.

Në fjalën e tij, presidenti Begaj vuri theksin te transformimi i Forcave Ajrore, duke e cilësuar atë si një proces të rëndësishëm që nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e aleatëve, në veçanti të Shteteve tw Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi se investimet në modernizim kanë hapur një fazë të re për këtë forcë, duke e kthyer atë jo vetëm në garant të sovranitetit ajror, por edhe në një kontribuese aktive për sigurinë kolektive.

“Plani i modernizimit të Forcave Ajrore është ambicioz dhe i nevojshëm. Kemi hapur një kapitull të ri, një kapitull ku Forcat Ajrore nuk janë vetëm garant i sovranitetit, por edhe kontribues aktiv në sigurinë kolektive”, u shpreh Presidenti Begaj.

Sipas tij, ndër prioritetet kryesore janë përmirësimi i flotës së helikopterëve, ndërtimi i kapaciteteve të mbrojtjes ajrore nga toka, zhvillimi i mjeteve pa pilot dhe avancimi i sistemeve të vëzhgimit ajror. Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes Nufi njoftoi një zhvillim të rëndësishëm për sektorin, rihapjen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë pas më shumë se dy dekadash.

Ai theksoi se kjo shkollë do të shërbejë për përgatitjen e pilotëve ushtarakë dhe civilë, si dhe specialistëve të kontrollit ajror, duke garantuar vazhdimësinë e traditës në këtë fushë. “Ringritja e Shkollës së Aviacionit pas dy dekadave është një hap i domosdoshëm për të garantuar vazhdimësinë e traditës dhe përgatitjen e brezave të rinj të pilotëve dhe specialistëve”, u shpreh ministri Nufi. Ministri theksoi se modernizimi i kapaciteteve mbetet një prioritet strategjik, duke përfshirë përmirësimin e sistemeve të radarëve dhe forcimin e mbrojtjes kundërajrore.

Sipas tij, baza ajrore e Kuçovës ka një rol kyç jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vetë NATO-n, duke rritur rëndësinë e vendit në rajon. Gjatë ceremonisë u kujtua edhe historia e aviacionit ushtarak shqiptar, që daton më 24 prill 1951, kur u realizua fluturimi i parë në hapësirën ajrore të vendit nga piloti Peço Polena me avionin tip Jak-9P. Po atë ditë u krijua edhe skuadrilja e parë luftarake e aviacionit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)