Protestat e nxitura nga kriza e thellë ekonomike në Iran janë përhapur në disa provinca rurale të vendit, duke shkaktuar të paktën gjashtë viktima, sipas autoriteteve dhe raportimeve të mediave vendase dhe ndërkombëtare. Këto janë viktimat e para të konfirmuara që nga nisja e demonstratave, mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.
Sipas burimeve zyrtare, një person humbi jetën të mërkurën dhe pesë të tjerë të enjten, në tri qytete ku jeton kryesisht komuniteti etnik Lur. Këto zhvillime sinjalizojnë mundësinë e një reagimi më të ashpër nga autoritetet iraniane, ndërsa protestat në Teheran janë zbehur, por janë zgjeruar në zona të tjera të vendit, shkruan Newsmax.
Dhuna më e madhe u raportua në qytetin Azna, në provincën Lorestan, rreth 300 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit. Video të publikuara në rrjetet sociale shfaqin zjarre në rrugë dhe të shtëna armësh, ndërsa dëgjohen thirrje kundër autoriteteve. Agjencia gjysmëzyrtare Fars raportoi për tre të vrarë, ndërsa media shtetërore nuk e pranoi plotësisht shkallën e dhunës.
Në qytetin Lordegan, në provincën Chaharmahal dhe Bakhtiari, u raportuan dy viktima të tjera gjatë protestave. Organizata për të Drejtat e Njeriut Abdorrahman Boroumand Center konfirmoi se viktimat ishin protestues. Ndërkohë, një anëtar 21-vjeçar i forcës paraushtarake Basij humbi jetën gjatë një proteste, ndërsa autoritetet fajësuan demonstruesit për vdekjen e tij.
Autoritetet iraniane pranojnë se protestat janë pasojë e inflacionit të lartë, zhvlerësimit të monedhës dhe vështirësive të jetesës. Megjithatë, janë kryer arrestime dhe janë shtuar masat e sigurisë, ndërsa udhëheqja iraniane përballet me presion të brendshëm dhe të jashtëm në një periudhë të ndjeshme politike dhe ekonomike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)