Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar Iranin se shkeljet e hapësirës ajrore turke “nuk mund të justifikohen” dhe se sulmet ndaj vendeve të rajonit nuk i shërbejnë askujt. Deklarata u bë gjatë një bisede telefonike me presidentin iranian Masoud Pezeshkian.
Erdogan theksoi se Turqia po përpiqet të hapë rrugën për diplomacinë me qëllim përfundimin e luftës, por nuk do të tolerojë më hedhjen e raketave në territorin e saj. Në një mbledhje të kabinetit qeveritar, Erdogan tha: “Pavarësisht paralajmërimeve të tona, Irani vazhdon të ndërmarrë hapa provokues që mund të rrezikojnë marrëdhëniet mes dy vendeve”.
Deklaratat vijnë pasi mbrojtja ajrore e NATO-s rrëzoi një raketë të dytë balistike iraniane që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Turqisë. Ndërkohë, Ankaraja ka njoftuar se një sistem i mbrojtjes ajrore Patriot po përgatitet të bëhet operacional në lindje të vendit, në koordinim me NATO-n.
Sipas Ministrisë turke të Mbrojtjes, masa është marrë për të garantuar sigurinë e kufijve dhe të hapësirës ajrore në një situatë tensionesh në rajon. Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe ndan një kufi të gjatë me Iranin, po përpiqet gjithashtu të luajë rolin e ndërmjetësuesit në konflikt, një rol që presidenti Erdogan ka tentuar ta marrë edhe në kriza të tjera ndërkombëtare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)