Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian ka publikuar një letër të hapur drejtuar qytetarëve amerikanë, ku ngre dyshime të forta mbi rolin e Shtetet e Bashkuara në konfliktin aktual, duke sugjeruar se Uashingtoni mund të jetë duke vepruar më shumë në interes të Izrael sesa të vetin.
Në një ton kritik, Pezeshkian vë në pikëpyetje sloganin “Amerika e para”, duke deklaruar se lufta ndaj Iranit mund të jetë një barrë e padrejtë për vetë amerikanët.
“A nuk është e qartë se Izraeli synon të luftojë Iranin deri te ushtari i fundit amerikan dhe dollari i fundit i taksapaguesve amerikanë?”, shprehet ai në një nga pjesët më të forta të letrës.
Presidenti iranian mohon që vendi i tij të përbëjë kërcënim dhe e përshkruan Iranin si një “civilizim i lashtë me traditë mbrojtëse”, duke theksuar se nuk ka nisur asnjëherë luftë në historinë moderne.
“Irani nuk ka zgjedhur kurrë rrugën e agresionit, por ka mbrojtur veten me vendosmëri ndaj çdo sulmi”, thekson ai.
Në letër, Pezeshkian paralajmëron gjithashtu se çdo sulm ndaj Iranit do të ketë pasoja përtej kufijve të vendit, duke lënë të kuptohet për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit.
Ai nënvizon se populli iranian nuk ka armiqësi ndaj qytetarëve amerikanë apo kombeve të tjera, duke bërë dallim të qartë mes popujve dhe qeverive.
“Populli iranian nuk ushqen asnjë armiqësi ndaj amerikanëve. Kjo është një bindje e rrënjosur thellë në kulturën tonë”, shprehet ai.
Në fund, presidenti iranian rikujton edhe historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke përmendur grushtin e shtetit të vitit 1953 si momentin që, sipas tij, prishi besimin mes Iranit dhe SHBA-së.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)