Ulja e akcizës së naftës, Rama: Po mbrojmë qytetarët, hyn në fuqi kur çmimi kalon 220 lekë për litër

Vendimi që parashikon uljen e akcizës së naftës me 20% do të zbatohet sapo çmimi i naftës të kalojë 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër.

05.04.2026. 10:38

Ulja e akcizës së naftës, Rama: Po mbrojmë qytetarët, hyn në fuqi kur çmimi kalon 220 lekë për litër

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot përmes podcast-it të tij “Flasim” hyrjen në fuqi të aktit normativ që parashikon uljen e akcizës së naftës me 20%.

Vendimi do të zbatohet sapo çmimi i naftës të kalojë 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër, dhe vjen në kuadër të masave që qeveria ka ndërmarrë për të lehtësuar barrën e efekteve rënduese që lufta në Lindjen e Mesme po sjell në tregun e karburanteve.

Rama theksoi se masa synon të mbrojë qytetarët nga luhatjet e paqëndrueshme të tregjeve ndërkombëtare, pa rrezikuar stabilitetin e financave publike, dhe do të monitorohet nga Bordi i Transparencës për të garantuar kontroll dhe zbatim të drejtë.

“Këtë javë kemi miratuar edhe aktin e premtuar normativ për uljen e akcizës së naftës, në momentin kur nafta, si pasojë e impaktit të luftës mbi tregjet ndërkombëtare, të kalojë limitin e 220 lekëve. Pra, ulja e akcizës me 20% është një masë që hyn në fuqi menjëherë kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër”, tha shefi i qeverisë.

Kryeministri theksoi gjithashtu se pragjet janë përcaktuar për të siguruar një ndërhyrje të balancuar dhe të drejtë për konsumatorët.

“Këto pragje janë paracaktuar për të garantuar një ndërhyrje të drejtë dhe të balancuar në raport me zhvillimet e tregut, të cilat janë zhvillime që ne nuk i kemi në dorë, nuk jemi shkaktarë të tyre dhe nuk kemi as fuqinë që t’i ndalojmë, përveçse kemi detyrimin që t’i trajtojmë në funksion të amortizimit të goditjes së menjëhershme mbi konsumatorët, pa cenuar, nga ana tjetër, stabilitetin e financave publike”, sqaroi ai.

Rama njoftoi gjithashtu se masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare, ndërsa Bordi i Transparencës do të monitorojë çdo zhvillim.

“Masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare, ndërsa Bordi i Transparencës, që është vënë në lëvizje, do të mbetet garant i çdo zhvillimi në tregjet globale për të reflektuar në mënyrë të drejtë dhe të verifikueshme atë çka duhet të ndodhë në tregun vendas. Ky është një reagim i duhur, i matur në kohë, që garanton vendimmarrje të shpejta, që mishëron përgjegjësi të plotë dhe që do të bëjë të mundur që qytetarët, drejtuesit e automjeteve, të mos abuzohen nga distributorët e naftës. Masat për të gjithë ata që do të shkelin çmimin e përcaktuar nga Bordi i Transparencës, në bazë të tregjeve, do të jenë drastike.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)