Rama: Opozita mbulon arritjet me “ziftin e dëshpërimit”, negociatat me BE janë në vijë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar përmes podcast-it të tij 'Flasim' se do të kemi lajme të mira nga Bashkimi Europian, teksa akuzoi opozitën se po baltos procesin e integrimit të Shqipërisë.

05.04.2026. 10:21

Rama: Opozita mbulon arritjet me “ziftin e dëshpërimit”, negociatat me BE janë në vijë

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar opozitën se po përpiqet të hedhë baltë mbi punët dhe arritjet e vendit, ndërsa theksoi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian vijon normalisht dhe priten zhvillime pozitive.

Gjatë podcastit të tij “FLASIM”, kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu nisjen e një procesi të brendshëm në Partinë Socialiste për zgjedhjen e drejtuesve të organizatave në të gjithë territorin e vendit, duke theksuar se kjo është edhe një mënyrë për të forcuar komunikimin me qytetarët.

“Jemi përfshirë në një proces, në një fushatë të brendshme në Partinë Socialiste, për të zgjedhur ata që do të jenë drejtuesit e organizatave tona në të gjithë territorin e Shqipërisë, që nga niveli i qendrës së votimit, në nivelin e njësisë administrative dhe në nivelin e bashkisë. Por, në ndërkohë, kjo ka rëndësi për këto shënime, sepse nuk është thjesht një fushatë e brendshme organizimi dhe energjizimi, por është edhe një fushatë komunikimi mes nesh dhe mes nesh dhe të gjithë atyre që na mbështesin, që na besojnë apo që kanë dëshirë dhe nevojë të na dëgjojnë dhe që t’i dëgjojmë, pasi jetojmë në një kohë kur bëhet gjithmonë më e vështirë për të mësuar të vërtetën apo për të marrë informacionin e drejtpërdrejtë lidhur me një fakt që të intereson”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, sipas tij, diskursi publik është zhvendosur nga çështjet reale të zhvillimit të vendit drejt përplasjes politike.

“Por ajo që është më shqetësuesja, për sa më takon dhe për sa na takon, është se nuk flitet, nuk komunikohet e nuk diskutohet për punët e Shqipërisë. Po përkundrazi, punët e Shqipërisë identifikohen vetëm me një luftë mizerabël politike dhe me një përpjekje të vazhdueshme të kujtdo që është në anën e kundërt me ne, që qeverisim Shqipërinë, për të bërë çmos që punët e Shqipërisë të mbulohen me ziftin e dëshpërimit të tyre, me baltën e të gjithë urrejtjes, mllefit, inateve të tyre.”

Në fund, Rama u ndal te procesi i integrimit europian, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës se negociatat janë bllokuar pas mosaprovimit të kërkesës së SPAK për arresimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.

“Shqipëria ka probleme, patjetër. Ne kemi shumë punë për të bërë, pa dyshim; jo çdo punë e kemi bërë si duhet dhe sa duhet, kjo nuk ka diskutim, por ama Shqipëria punon dhe punët e Shqipërisë, në tërësi, janë në vijë.Ashtu si kundër, është në vijë procesi më i rëndësishëm historik i anëtarësimit në Bashkimin Europian, me negociatat që vazhdojnë dhe, në ndërkohë, gjithçka që thuhet kur vjen puna te negociatat lidhet me gënjeshtrën e madhe se ato janë bllokuar apo ndaluar. E vërteta e thjeshtë është se kjo punë e madhe e Shqipërisë vazhdon përditë dhe, së shpejti, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë”, deklaroi Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)