Tre javë pas hekurave për dhunë në familje, i dënuari ndërron jetë në QSUT

Sipas të dhënave zyrtare, 68-vjeçari ishte arrestuar më 12 mars 2026 për veprën penale “dhunë në familje” dhe më pas ishte transferuar në IEVP Lezhë, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Durrësit.

05.04.2026. 08:36

Tre javë pas hekurave për dhunë në familje, i dënuari ndërron jetë në QSUT

Një i dënuar ka ndërruar jetë në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Viktima, Hajri Robi, ka humbur jetën rreth orës 05:00 në reanimacionin qendror, si pasojë e një arresti kardio-respirator.

Sipas të dhënave zyrtare, 68-vjeçari ishte arrestuar më 12 mars 2026 për veprën penale “dhunë në familje” dhe më pas ishte transferuar në IEVP Lezhë, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Durrësit.

Për shkak të problemeve shëndetësore, më 30 mars ai u dërgua për trajtim në Qendrën Spitalore të Burgjeve, ndërsa më 2 prill u transferua me urgjencë në QSUT, pasi gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm.

I ndjeri, 68-vjeçar, vuante nga disa sëmundje, përfshirë hipertension arterial, diabet mellitus dhe një frakturë subtrokanterike të majtë.

Drejtoria e Burgjeve bën me dije se janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore për raste të tilla, duke njoftuar institucionet përkatëse, përfshirë Prokurorinë dhe familjarët e të ndjerit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)