Pashkë e dhimbshme në Mesdhe, mbytet varka me emigrantë, 70 të zhdukur

Sipas dëshmive të të mbijetuarve, rreth 110 persona, mes tyre burra, gra dhe fëmijë, kishin nisur udhëtimin nga Tripoli me një varkë të vogël 12-15 metra, e cila më pas u përmbys në det të hapur.

Burimi: TGCOM

05.04.2026. 14:13

Pashkë e dhimbshme në Mesdhe, mbytet varka me emigrantë, 70 të zhdukur

Një tjetër tragjedi është regjistruar në Mesdhe, në zonën pranë brigjeve të Libisë, ku mbi 70  emigrantë rezultojnë të zhdukur pas mbytjes së një varke.

Të paktën 32 emigrantë janë shpëtuar nga Roja Bregdetare Italiane. Operacioni i shpëtimit u zhvillua me ndërhyrjen e anijes patrulluese CP327, e mbështetur nga mjetet detare Ievoli Grey dhe Saavedra Tide.

Të mbijetuarit janë transportuar drejt ishullit italian Lampedusa, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore, por ende nuk dihet fati i të tjerëve.

Sipas dëshmive të të mbijetuarve, rreth 110 persona, mes tyre burra, gra dhe fëmijë, kishin nisur udhëtimin nga Tripoli me një varkë të vogël 12-15 metra, e cila më pas u përmbys në det të hapur. Shumë prej tyre qëndruan për orë të tëra në ujë përpara se të mbërrinte ndihma. Deri tani janë nxjerrë edhe dy trupa të pajetë, ndërsa frika është se dhjetëra të tjerë kanë humbur jetën.

Ngjarja ndodh vetëm pak ditë pas një tjetër operacioni dramatik pranë Lampedusa-s, ku u gjet një varkë e mbushur me emigrantë. Në atë rast, autoritetet nxorën 19 trupa të pajetë, të cilët dyshohet se humbën jetën nga hipotermia. Vetëm pesë persona arritën të shpëtohen në gjendje kritike, mes tyre edhe një fëmijë.

Organizata Save the Children e cilësoi situatën si një “Pashkë të dhimbshme në Mesdhe”, duke theksuar se deti vazhdon të mbetet një kufi vdekjeje për mijëra njerëz që kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë.

Sipas të dhënave të organizatës, që nga viti 2014 rreth 34,500 persona kanë vdekur ose janë zhdukur në Mesdhe. Vetëm gjatë këtij viti, numri i viktimave ka kaluar 800, ndër ta edhe shumë fëmijë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)